Haradinaj apelon qytetarët: Mos e lini votën në shtëpi
Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka votuar sot në qendrën e votimit në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.
Pas votimit, duke thënë “mos e leni votën në shpi”, Haradinaj ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Haradinaj ka deklaruar se qeverisja lokale ka një rëndësi të posaçme për jetën e qytetarëve.
“Të gjithë shfrytëzoni të drejtën për të votuar, edhe unë votova. Qeverisja komunale është mjaftë e rëndësishme për jetën e juaj, për jetën e qytetarëve në të gjitha drejtimet. Ju ftoj, vendosni për veten, mos e leni votën në shpi”, ka thënë ai.
Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021 përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që janë mbajtur më 14 shkurt 2021. Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është: 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues, të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?