Haradinaj: Është mashtrim, të rritet koeficienti

(Lajm i përditësuar)
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj koeficientit për paga që sot ka prezantuar Qeveria e Kosovës.
Haradinaj ka thënë se qeveria e re e Kosovës, që në ditën e parë të punës duhet ta rris koeficientin.
“Qeveria e re, në ditën e parë të punës, në takimin e parë, vendimin e parë të marrë për ta rritur koeficientin e pagave që përjetë të respektohen zyrtarët në sektorin publik”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se qeveria e ka fshehur qëllimshëm koeficientin deri tani për t’i zënë në befasi të pakënaqurit me këtë vendim.
“Përndryshe, sot qeveria i vuri vulë mashtrimit. Fshehja e deritashme e koeficientit kishte për qëllim t’i zë në befasi të pakënaqurit me këtë vendim. E ata janë shumë! Krejt ky veprim i qeverisë, në mënyrë që të sabotojë mundësinë për sfidimin dhe shfrytëzimin e proceseve dhe mekanizmave ligjorë kundër këtij ligji i cili nëpunësit dhe profesionistët shtetërorë i trajton si ‘armiqësorë’, i anatemon”, është shprehur Haradinaj.
“Kishte për qëllim t’i fusë në debate dhe përplasje edhe përfaqësuesit e ndryshëm sektorialë, duke bërë rritje të kamufluara për disa sektorë, nivele dhe pozita, përderisa shumicës ia konfirmon ato paga që i kishin tashmë”, është shprehur Haradinaj.
Sipas Haradinajt, ky koeficient është alarmues dhe mashtrues.
“Ligii sipas këtij koeficenti ka krijuar terren për keqkuptime ndaj kundërshtimeve opozitare të një vendimmarrjeje qeveritare arbitrare dhe përjashtuese. Kjo qasje është fyese! Ky koeficient është alarmues dhe mashtrues!”, ka përfunduar Haradinaj.
PDK: Qeveria Kurti goditi përsëri qytetarët 
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, e ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës pas publikimit të koeficientit të pagave në vlerë 105 euro.
Mustafa në një konferencë për media tha se Qeveria e Kosovës sot ka goditur edhe një herë standardin e jetesës të shumë qytetarëve të Kosovës duke paraqitur një koeficient të pagave që nuk i përmbushë nevojat e tyre.
“Me këtë koeficient shumë kategorive të rëndësishme të punonjësve publikë nuk i ofrohet një pagë dinjitoze, ndërsa shumë të tjerave madje u zvogëlohen pagat mu në këtë periudhë të rëndë të krizës. Është vështirë e kuptueshme sjellja e një qeverie e cila në periudhën më të vështirë ekonomike në të cilën po kalon vendi, si pasojë e rritjes enorme të çmimeve, ndërmerr veprime të njëpasnjëshme që rëndojnë dhe nuk ndihmojnë gjendjen financiare të qytetarëve. Ende pa kaluar tronditja nga shtrenjtimi i faturave të tatimit në pronë, kjo qeveri ndërmerr një goditje tjetër, atë të ndëshkimit me pagë të kategorive të ndryshme të punonjësve të sektorit publik, duke lënë kështu qytetarët në pasiguri të lartë se cilat do të jenë veprimet e radhës të kësaj qeverie”, tha ai.
Prandaj, PDK do të propozojë amandamentimin e Ligjit për Buxhetin, me kërkesën për rritje të koeficientit në vlerën 120 euro.
“Gjatë kësaj qeverisje, rritje substanciale kanë shënuar vetëm çmimet dhe emigrimi, por jo edhe standardi i jetesës së qytetarëve. Për Partinë Demokratike të Kosovës, çdo koeficient page nën 120 euro vetëm se rritë degradimin që ka kapluar standardin e jetesës në Kosovës dhe kontribuon në humbjen e mëtejme të shpresës për një jetë të dinjitetshme në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës do të propozoj amandament në Ligjin për Buxhetin, me kërkesën për rritje të koficientit në vlerën 120 euro”, njoftoi Mustafa.
Mustafa konsideron që vlera e koeficientit të pagave e paraqitur sot nga Qeveria Kurti, jo vetëm që do të përkeqësojë mirëqenien e shumë kategorive të qytetarëve, por do t’i nxisë profesionistët të ikin nga sektori publik.
“Kemi një qeveri e cila tiparin më të dalluar e ka propagandën, por që assesi nuk po arrin të lë gjurmë në rritjen e përgjithshme të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Kjo politikë e pagave, përveç se do të përkeqësojë mirëqenien e shumë kategorive të qytetarëve, po ashtu do të ndikojë negativisht në cilësinë e shumë institucioneve duke i nxitur profesionistët që të ikin nga sektori publik”, theksoi ai.
Tahiri: Ky ligj akomodon vetëm nivelin politik, degradon administratën publike
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri ka reaguar pas publikimit të vlerës së koeficientit në Ligjin e Pagave.
Tahiri tha se vlera e koficientit do të duhej të ishte 129 euro, dhe kjo sipas tij do të ishte minimalja.
Tutje ai tha se nuk kemi asnjë rritje, përveç ndërhyrjeve e flakareshave për institucionet e pavarura, si drejtësia, e degradimeve për sektorët vitalë si arsimin, shëndetësinë, policinë e shërbimin civil.
“U deshën dy vite përplasje, fyerje e nënçmime të sindikatave, por edhe administratës shtetërore për të sjellë një Ligj që akomodon vetëm nivelin politik. Asnjë e re, asnjë rritje, përveç ndërhyrjeve e flakareshave për institucionet e pavarura, si drejtësia, e degradimeve për sektorët vitalë si arsimin, shëndetësinë, policinë e shërbimin civil. Për asgjë më tepër, vetëm reflektimi i normës së inflacionit në shportën bazike po të reflektohej, vlera prej 129 euro e koeficientit do të ishte ajo më minimalja. E, mos të përllogarisim inflacionin ndër vite, prej rritjes së fundit të pagave. Kjo ishte arsyeja e kërkesës sonë që vlera e koeficientit të jetë në këtë shumë. Përdorimi i shtesave si argument i ndërlidhur me pagën bazë, shpërfaqë nevojën për ta mbuluar turpin, në veçanti kur kjo ka të bëjë me sektorët vitalë. Ndryshimi i vetëm, në mes këtij degradimi është diferenca që kanë krijuar mes rritjes së pagave të tyre dhe administratës publike”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.
Abdixhiku: Koeficienti i zbrazjes së Kosovës
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas publikimit të vlerës së koeficientit të pagave ka thënë se “Qeveria sërish tregojë pandjeshmëri”.
Abdixhiku këtë vlerë të koeficientit e quajti “Koeficienti i zbrazjes së Kosovës”
“Në krizën më të madhe ekonomike e sociale ndër vite, Qeveria sërish tregoj pandjeshmëri. Pandjeshmëri ndaj përballjes qytetare, ndaj rritjes së kostos së jetesës, ndaj vet njerëzve të këtij vendi. Koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publik. Është braktisje e njerëzve të vendit; që shkakton braktisjen e tyre të vendit”, ka reaguar Abdixhiku.
Ai ka thënë se LDK-ja ka propozuar koeficient në vlerë prej 125 dhe sipas tij gjithçka më pak se aq është ulje e pagave për disa e mosrritje për të tjerët.
“Është injorim i inflacionit e kushteve të rënduara të jetesës. Këtë propozim do të dërgojmë menjëherë edhe si amandament në Kuvend. Një qeveri të shpërputhur nga realiteti, vendi ynë nuk e meriton. Kosova meriton më mirë, Kosova mundet më shumë!”, ka shkruar kreu i LDK-së në “Facebook”.
Bajrami citon Churchill: Bekimi i natyrshëm i socializmit është ndarja e barabartë e mjerimit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka cituar shkrimtarin dhe ish-kryeministrin e ndjerë britanik, Winston Churchill, i cili ka thënë se “Bekimi i natyrshëm i socializmit është ndarja e barabartë e mjerimit”.
Ky citim i Bajramit vjen pasi Qeveria e Kosovës e ka caktuar se vlera e koeficientit do të jetë 105 euro.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se vitin e ardhshëm koeficienti do të jetë 110 euro./21Media

Back to top button