Haradinaj është takuar me përfaqësuesit e Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës

“Administrata e shtetit e përfaqësuar nga shërbimi civil është motori i shtetit tonë”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, me të cilët kanë biseduar për zhvillimet e fundit, veçanërisht rreth projektligjit për Pagat për sektorin publik.

Me këtë rast, Haradinaj pasi i dëgjoi  kërkesat e tyre, tha se së bashku me kabinetin qeveritar dhe personat kompetent në këtë fushë, janë angazhuar që maksimalisht t’iu përgjigjen kërkesave të tyre.

“Në këtë aspekt kemi vendosur që të trajtohen çështjet që lidhen me stazhin e punës të viteve të ‘90-ta duke krijuar një komision qeveritar që do të trajtojë këtë temë. Po ashtu do të diskutohet për kushtet e punës në shërbim civil, aspekti i inspektorateve dhe avancimin e shërbyesve civil të komunës së Prishtinës sipas Ligjit për Kryeqytetin”, tha kryeministri gjatë këtij takimi.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj është shprehur i kënaqur që ngritja prej 0.20 %, që është e barabartë me sektorët tjerë u kuptua si një përkushtim i Qeverisë për të përmirësuar sado pak gjendjen e shërbyesve civilë dhe se vazhdimi i dialogut institucional ndërmjet Sindikatës dhe Qeverisë do të jetë përkushtimi i tij personal.

“Administrata e shtetit e përfaqësuar nga shërbimi civil është motori i shtetit tonë dhe se trajtimi i tyre do të jetë i kujdesshëm përmes një dialogu të vazhdueshëm”, tha kryeministri Haradinaj.

Haradinaj dhe përfaqësuesit e Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës u dakorduan që të fillojnë dialogun institucional të drejtpërdrejt në mes të Qeverisë dhe Sindikatave të Shërbimit Civil.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës falënderuan kryeministrin për pritjen e sotme dhe t’i dëgjojë nga afër shqetësimet e tyre./21Media

Back to top button