Haradinaj: Ftoj Qeverinë që të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me rastin e Ditës së Kushtetutës ka thënë se kjo Kushtetutë është motori i demokracisë dhe zhvillimit por “edhe mburojë e fuqishme ndaj çdokujt që rrezikon sistemin me apetite të autokracisë”.Haradinaj ka ftuar qeverinë që të tërhiqet nga sjelljet “kundërkushtetuese” dhe ta ruajnë sigurinë juridike.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës mori shpirtin e saj nga populli ynë paqedashës dhe nga skena politike e cila deri më tash respektoi me dinjitet vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe atëherë kur ato nuk ju konvenuan grupacioneve politike”, ka shkruar Haradinaj.
“Ftoj edhe këtë qeveri që të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike të cilën e ndërtuam me vite. Siç thuhet edhe në Kushtetutë, pushteti i Qeverisë buron nga Kushtetuta, andaj edhe çdo sjellje kundër saj e humb legjitimitetin dhe legalitetin qeverisës”, ka shkruar tutje ai.
Sot bëhen 15-vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës është ratifikuar më 9 prill 2008 dhe ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit./21Media