Haradinaj i drejtohet mërgimtarëve: Mos e lejoni asnjë propagandë që e dëmton familjen

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është deklaruar për ardhjen e mërgimtarëve në festat e fundvitit. Ai iu ka drejtuar disa akuza për (mos) punën e Qeverisë Kurti, duke përmendur edhe 100 eurot të cilat i ka cilësuar si lëmoshë financiare.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj iu drejtuar mërgimtarëve duke i ftuar ata mos lejojnë asnjë propagandë që e dëmton familjen.
“Vëllezër e motra, Pushimet e ardhshme, që i bie të jenë për festat e fundvitit, përveç vizitave në familjet tuaja, do ta kemi një angazhim tjetër që pretendon ta kthejë Kosovën në binarët e normalitetit. Ne duam që Kosova e ëndrrave tona të jetësohet. Ne duam që vlera e lirisë të respektohet dhe të nderohen partnerët ndërkombëtarë në secilin nivel të sigurisë e të zhvillimit. Ne s’duam lëmoshë financiare prej 100 eurosh, që ministri e kryeministri t’ia vazhdojnë pushtetin vetes për një javë apo një muaj. Ne duam angazhim institucional, që familjet tona ta ndjejnë dorën e shtetit. Bisedoni e argumentoni mes vete, në familjet tuaja, dhe vendosni për të ardhmen. Ne kurrë s’kemi qenë të ndarë mes vete në familje. Malli për njëri-tjetrin na ka gërryer shpirtin, për ta ndërtuar sigurinë dhe jetën e begatë në familjet tona, para e pas luftës. Pastaj, dhatë për lirinë shumë, e bashkë e gëzuam rrugëtimin e ëndrrës që për të u sakrifikua shumë. Pa njëri-tjetrin nuk e kemi familjen, nuk e nderojmë vendin dhe nuk e sigurojmë të ardhmen. Mos e lejoni asnjë propagandë që e dëmton familjen. Besnik ndaj atdheut dhe kombit”, ka shkruar Haradinaj./21Media