Haradinaj i rekomandon Kurtit masa si të menaxhohet situata me Covid-19

Pas përkeqësimit të situatës me Covid-19, ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka rekomanduar disa masa që sipas tij duhet t’i ndërmarrë Kryeministri Albin Kurti.
Ai në një postim në Facebook i ka përmendur disa masa dhe veprime në tre dimensione.
Sipas Haradinajt në ekonomi duhet subvencionim financiar sektorial për aktivitetet e prekura direkt, subvencionim i aktiviteteve prodhuese, subvencionim i eksportit dhe subvencionim i industrisë së shërbimeve, potencial për eksport dhe punësim.
Haradinaj ka propozuar që në aktivitetet operative, të bëhet zgjerimi i kapaciteteve shëndetësore, profesionale dhe teknike, angazhim i vullnetarëve, ekipet mobile për trajtim në shtëpi, trajtimi me qëndrim në kapacitetet private, furnizim me barna të nevojshme për të gjithë të prekurit dhe hapja e spitaleve provizore.
Sa i përket mbështetjes financiare për personelin e angazhuar Haradinaj ka shkruar se duhet “shtesat për personelin shëndetësor, shtesat për policinë dhe inspektorët; dhe honoraret për vullnetarët. JO mbyllje totale, JO menaxhim i pakontrolluar”.
Gjatë 24 orëve të fundit si pasojë  e infektimit me Covid-19 kanë vdekur 20 persona. Numri total i viktimave nga Covid-19 që nga viti i kaluar është 2 mijë e 457./21Media
Back to top button