Haradinaj: Kemi qenë me të zotë se gjithë të tjerët

 

Në fshatin Kodrali të Deçanit është bërë zbulimi i Lapidarit në nderim të jetës dhe veprës së Haxhi Ferizajt dhe bijve të tij Agronit e Skenderit.

Në ceremoninë e zbulimit të lapidarit, ka marrë pjesë edhe kryetari AAK-së Ramush Haradinaj, i cili në një fjalë rasti tha se shembulli i familjes së këtyre heronjve dëshmon se shqiptarët kurrë nuk kanë për ta humbur rrugën në kërkim të te drejtave të tyre.

Ish-kryeministri Haradinaj tha se përkundër faktit që ushtarët e UÇK-së kishin pak municione, ata ishin më të zotë, duke i dalë përballë Serbisë, nganjëherë edhe pa armë.

“Nuk ka vizionar, çkado qoftë në botë që kanë mujtë me qenë më të zotë se njerëzit e UÇK-së, me sa pak kanë pasur në dorë, me sa pak i kanë dal përballë Serbisë, nganjëherë veç me zemër, nganjëherë veç me mendje, e dikur me vonë edhe me pak armë. Po, e vërteta është se ne kemi qenë me të zotë se gjithë të tjerët se i kemi dalë përballë pushtuesve, me të drejtën e Zotit, me të drejtën tonë me pas të drejtë me jetu në këtë tokë të lirë. Ky lapidar dhe kjo histori e kësaj familje e vërteton, që mos të mashtrohet ndokush që me kujtu se na ka humbur fija, na ka humbur mendja, e fokusimi. Këta fëmije që rriten, dhe fëmijët e tjerë kanë me qenë edhe me të zotë se UÇK-ja, nëse lypet për të drejtën e shqiptarëve, për lirinë tonë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se kjo familje dhe ky lapidar i Haxhi Ferizaj dhe bijve të tij, tregon të kaluarën e Kosovës.

“Ky lapidar shpjegon të kaluarën tonë, shpjegon edhe persekutimin, edhe përpjekjen për liri, po ashtu shpjegon edhe kohën e vrasjes edhe për ushtri, në rrugë, në punë, kur të kanë vlerësua se je i rrezikshëm për ta, të kanë ekzekutua e të kanë vra. Kjo kohë tregon të kaluarën më të lavdishme, krenarinë tonë, pjesën më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur vijmë edhe deri të liria. E gjithë kjo e kaluar për neve shpjegon diçka që sublimja është dhënë me pas liri me jetua në paqe me krijua këtë shtet për standardin e fëmijëve tonë. Përball e kemi pas një armik, i cili për qellim kishte jo vetëm pushtimin, por edhe gjakun, djegien e këtij vendi, shkatërrimin e këtij vendi, dhunimin e këtij vendi”, ka thënë Ramosaj.

E shoku i burgut Gani Kastrati me lot në sy tregon për kohën që kishte kaluar me Skënderin, në burg.

“Jemi takuar me Skënderin, dhe kemi bisedua. Tha, Gani ne duhet me u ulë me bisedu diçka, çka duhet me ba na që t’i ndihmojmë vendit, edhe pse ishim në kazermë, edhe pse ishim të izoluar nën ushtrinë e shkaut. Atëherë, kemi biseduar dikund dy orë gjatë, secili kemi ndarë disa detyra, secili se çka ka me bë. Ai ka qenë shumë i aftë. Unë prej njerëzve të jetës sime që kam njoftë, Skenderin e kam njoftë si njërin më kombëtar që kam njohur”, tha ai.

Nëna e dëshmorëve, Ryva, ka thënë se është krenare me djemtë dhe burrin e saj, ndërsa shtoi se dëshmorët nuk vdesin asnjëherë.

“Amaneti i dëshmorëve është i gatshëm mos me durua asgjë. Ata na e kanë tha shëndetin, na e kanë hupë të rinjtë. Lavdi iu qoftë të gjithëve, lavdi iu qoftë djemve të rinj…. Djali im nuk humb kurrë, i riu nuk humb kurrë”, ka thënë ajo.

Ndërsa, djali i dëshmorit, Skënder Ferizajt, Iliri ka thënë se sakrificat ndër breza na e sollën lirinë që po e gazojmë./kp

Back to top button