Haradinaj: Kjo qeveri nuk e ka prioritet arsimin, problemet janë alarmante

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se arsimi nuk është prioritet i kësaj qeverie, ku si pasojë problemet janë shtuar dhe janë alarmante.

Kështu ka thënë Haradinaj në tryezën e organizuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së në bashkëpunim me Forumin Intelektual Evropa 2030 për arsimin në Kosovë.

“Sallat mësimore, amfiteatrot e laboratorët janë fabrikat më të rëndësishme për një shtet. Me Arsimin nuk bëhet pazar sepse është përcaktues për të ardhmen e vendit. Fatkeqësisht Arsimi nuk është prioritet i kësaj qeverie. Problemet janë shtuar dhe janë alarmante. Ndikimi i dëmshëm politik, mungesa e investimeve kapitale, mungesa e fondeve për hulumtime shkencore, pagat e ulëta si dhe kushtet e dobëta infrastrukturore dhe lufta e hapur ndaj sindikatave dhe mësimdhënësve, kanë sjellur këtë sektor buzë kolapsit”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se bashkëpunimi ynë politik me Forumin E30 dhe sindikatat e Arsimit, ka nisur të japë rezultatet e para.

“Në tryezën e dytë për Arsimin, kësaj radhe organizuar në bashkëpunim me Forumin Intelektual Evropa 2030, gjatë diskutimit me panelistët, profesionistë të fushave të ndryshme me kontribut të shquar në sektorin e Arsimit, u ngrit shqetësimi për degradimin e skajshëm që kjo qeveri i ka sjellur Arsimit. Bashkëpunimi ynë politik me Forumin E30 dhe sindikatat e Arsimit, ka nisur të japë rezultatet e para, që do të kulmojnë me një plan të përbashkët për ta rikthyer dinjitetin e mësimdhënësve dhe ndryshimin pozitiv të gjendjes arsimore në vend”, ka përfunduar Haradinaj.

Back to top button