Haradinaj: Kosova po hyn në krizë të thellë sociale

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova po hyn në krizë të thellë sociale dhe se qytetarët kanë filluar të përballen me mbijetesë.
Sipas tij rritja enorme e çmimeve ka goditur çdo shtresë të popullsisë.
“Qeveria e Kosovës, i ka lënë në pozitë të vështirë kategoritë të cilat kanë bartur barrën kryesore të përballjes me pandeminë, si pasojë e së cilës edhe ekonomia edhe bizneset kanë përjetuar goditje të rëndë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Haradinaj ka bërë të ditur se ai është në përkrahje të protestës së punëtorëve të Shëndetësisë, të organizuar nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.
“Për krejt këto arsye, sot jam me punëtorët shëndetësorë që protestojnë për të drejtat e tyre”, ka shkruar Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka thënë se “Qeveria duhet të kthjellohet urgjentisht dhe të konsiderojë të gjitha masat e nevojshme që e lehtësojnë përballimin e kësaj situate të rëndë”.
“Kërkesa jonë urgjente është që Ligji i Pagave të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës, si dhe përpilimi i buxhetit të ri të jetë në përputhje të plotë me nevojat imediate që reflektojnë përballjen me situatën e rëndë ekonomike e sociale. ”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, Blerim Syla kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ka thënë se protestat do të vazhdojnë dhe se Ligji i Pagave do të sjellë barazinë sociale që kjo qeveri e ka premtuar për qytetarët.
Protesta ka paralajmëruar edhe Sindikata e Arsimit, të cilët kanë kërcënuar me bllokim të sistemit arsimor./21Media 

Back to top button