Haradinaj: Zgjedhjen e presidentit do ta gjejmë pa problem

(Lajm i përditësuar)

Haradinaj: Lista jonë është e pasur me profesionistë, akademikë dhe përfaqësues të diasporës

Kandidati për kryeministër, nga AAK-ja Ramush Haradinaj, ka vlerësuar lart përbërjen e listës së kandidatëve të subjektit të tij, duke theksuar se ajo përfshin njerëz të arsimuar, profesionistë të dëshmuar dhe figura me përvojë në fusha të ndryshme.

Ai përmendi emra si Besnik Tahiri, Agim Çeku dhe Dardan Krasniqi, duke falënderuar këtë të fundit për angazhimin e tij, si dhe theksoi praninë e grave të suksesshme dhe kontributin e diasporës, duke u shprehur i bindur dhe krenar për cilësinë e listës.

“Lista jonë e kandidatëve është e pasur me njerëz të arsimuar, me grada shkencore, profesionistë të arritur në çdo fushë, përfshirë edhe diaspora. E kemi Besnik Tahriin, Agim Cekun, Dardan Krasniqin të cilin e falenderoj per angazhimin. Ka zonja të respektuara dhe me sukses në jetë. Besoj se ky vlerësim është real, dhe mburremi me listën tonë.”, tha Haradinaj.


Haradinaj: Zgjedhjen e presidentit do ta gjejmë pa problem

Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, në ”Click” të RTV21, deklaroi se Kosova nuk do të shkojë më në zgjedhje për një periudhë të gjatë dhe se vendi do të ketë një qeveri stabile për katër vite. Ai gjithashtu shtoi se procesi i zgjedhjes së presidentit do të realizohet pa problem dhe se do të gjendet një zgjidhje e përbashkët për këtë çështje

“‘Kosova nuk do të shkojë më në zgjedhje. Për 4 vite do të ketë qeveri, dhe do të zgjedhim presidentin pa problem. Do të gjejmë zgjidhjen për presidentin,’ tha Haradinaj.


Hardinaj i bindur në fitore: Qeveri ndryshimi pa VV-në

Ramush Haradinaj, lider i AAK-së, në ”Click” të RTV21 ka theksuar  se partia e tij synon një qeveri të ndryshimit, të qëndrueshme dhe të zhvillimit, pa VV-në në udhëheqje.

Ai flet për rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në zgjedhje, për listën e kandidatëve të AAK-së që përfshin njerëz të arsimuar dhe të suksesshëm nga diaspora, dhe thekson se energjia dhe pagat do të jenë prioritet i qeverisë së ardhshme. Haradinaj thekson gjithashtu se besnikëria ndaj partisë është mbi interesin personal, dhe se ndryshimi i sistemit të shërbyesit civil do të bëhet përmes reformave ligjore.

“Ne nuk kemi bërë matje, por po na vijnë nga të tjerët, dhe po shohim që disponimi po rritet. Jemi në rritje, kemi marrëdhënie kredibile dhe po i sqarojmë punët. Kjo është një ndihmë për ndryshimin e vendit. I lus të gjithë qytetarët që e votojnë AAK-në: mos e lini votën në shtëpi dhe mos dilni jashtë vendit. Synojmë një qeveri ndryshimi pa VV. Edhe nëse nuk jemi në qeveri, do të mbështesim qeverinë e opozitës. Nuk mund të presim zgjedhje të reja; do të gjejmë zgjidhjen për presidentin.”, tha Haradinaj.


Haradinaj: Nuk e konsideroj AAK-në dhe veten më si opozitë

Haradinaj nuk ndërron mendje: Nuk mbështes Qeveri të Kurtit

Ramush Haradinaj, lider i AAK-së dhe kandidat për kryeministër, ka bërë të ditur se qëndrimi i tij nuk është më opozitar, por flet si një kryetar qeverie. Ai thekson rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, teksa  bën thirrje për unitet dhe votë aktive për AAK-në, si një mënyrë për të realizuar ndryshimin e premtuar.

“Nuk e konsideroj AAK-në dhe veten opozitarë, e vlerësoj që është e dhembshme të shohësh dikë që ka udhëhequr për 5 vjet dhe flet si opozitar. Qasja ime është si kryetar i qeverisë nesër dhe jam i fokusuar te punët që duhet të kryej. Pak e habitshme, ata të VV-së për 5 vjet i quajtën mediat serbe, tash po lakmojnë pas tyre; nuk di nëse janë bërë të serbise apo të mediave shqiptare. Unë nuk synoj të mbështes një Qeveri Kurti 3 apo 4 apo cilindo tjetër. Unë punoj për ndryshim dhe i lus qytetarët të ndihmojnë për këtë ndryshim.”, deklaroi Haradinaj.

“Ne nuk kemi bërë matje, por po na vijnë nga të tjerët, dhe po shohim që disponimi po rritet. Jemi në rritje, kemi marrëdhënie kredibile dhe po i sqarojmë punët; kjo është ndihmë për ndryshimin e vendit. I lus të gjithë qytetarët që e votojnë AAK-në: mos e lini votën në shtëpi dhe mos dilni jashtë vendit.”, tha Haradinaj.


Haradinaj: Kam kaluar vitet me dhimbje dhe vuajtje, nuk e kam parë luftën në televizion, e kam përjetuar 

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK-ja, në ”Click” të RTV21 ka theksuar  se prioritetet e tij janë rritja e pagave, stabilizimi i ekonomisë dhe sigurimi i një të ardhmeje pa rrezik për qytetarët e Kosovës. Ai ka premtuar se do të punojë për përshpejtimin e anëtarësimit në NATO dhe se nuk do të lejojë që vendi të gjendet në rrezik për shkak të çmimeve të larta të energjisë dhe pasigurisë ekonomike.

“Jam shumë i vendosur se çfarë duhet të bëj tani. Prioritet i imi është rritja e pagave. Kam marrë vendimin të bëj dy punë për të shpëtuar Kosovën. Gjendja është e rëndë dhe varësia nga çmimet e tregtarëve po e vështirëson jetën e qytetarëve. Nuk dua të lë fëmijët e Kosovës pa ngrohje për shkak të çmimeve të energjisë. E di që mund të nxjerr Kosovën nga kjo situatë. Votoni 129 që të dalim nga kjo krizë. Prioritet i dytë është të punojmë seriozisht për anëtarësimin në NATO. Ju lutem, me anëtarësimin në NATO, vendi ynë nuk do të jetë më në rrezik. Nuk e lë vendin tim në rrezik, nuk bëj sherre me askënd. Kam kaluar vitet me dhimbje dhe vuajtje; nuk dua të luftoj më. E di sa e tmerrshme është lufta, nuk e kam parë në televizion, e kam përjetuar vetë.”, tha Haradina.


”Vetura të blinduara”, Haradinaj thotë se prokurorët meritojnë mbrojtje më shumë se politikanët

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK-ja, ka theksuar se respektimi i ligjit dhe mbrojtja e institucioneve të drejtësisë janë prioritet i qeverisë së ardhshme. Ai siguron se gjyqtarët dhe prokurorët që luftojnë kundër krimit dhe korrupsionit do të kenë mbështetjen e plotë dhe mbrojtjen e nevojshme nga institucionet e shtetit.

“Ju siguroj që, qofsha kryeministër apo jo, nëse dikush bie ndesh me ligjin, nuk do të ndërhyj në asnjë mënyrë. Nuk është vetëm çështje pagash, por edhe mbrojtjeje, sepse ata shpesh kërcënohen, madje edhe fëmijët e tyre. Në qeverinë e AAK-së do të ketë trajtim dhe mbështetje për gjyqësorin. Pse me ble ne vetura të blinduara veç për politikan nashta janë 20 persona në gjyqësor që kanë nevojë për ato vetura. Pse me mbrojt policia familjen time, e pse jo prokurorit, atij duhet me ja ruajtur familjen sepse lufton kunder të keqës, duhet ta mbrojmë gjyqtarin.’’, tha Haradianaj.


Haradinaj kritikon Kurtin: Unë si kryetar i Qeverisë nëse shkel ligjin shkoj edhe në burg

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK-ja, ka kritikuar veprimet e kryeministrit aktual, Albin Kurti, duke theksuar se sjellja e ekzekutivit ndaj gjyqësorit dhe prokurorisë ka krijuar konfuzion në vend dhe minon besueshmërinë e institucioneve.

“Kosova më së shumti ka nevojë për të sqaruar këtë konfuzion që e krijoi Kurti duke mos iu përgjigjur ftesave të Prokurorisë dhe Gjykatës, dhe duke sulmuar prokurorët. Një marrëdhënie e tillë nuk ekziston askund. Nuk guxon ekzekutivi të sillet kështu me gjyqësorin,” tha Haradinaj.

Ai tutje ka theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave të komuniteteve dhe funksionimit të drejtësisë në vend. Ai nënvizon se askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe se institucionet e drejtësisë duhet të respektohen nga të gjithë, përfshirë edhe vetë kryetarin e qeverisë.

“Ne i respektojmë të drejtat e komuniteteve dhe duhet të merremi me secilin në këtë vend. Nuk duhet të vijë në Parlament dikush që shkel ligjet e Kosovës. Kjo është marrëdhënia që duhet të kemi në të ardhmen. Kush bie ndesh me ligjin, nuk mund t’i ndihmojmë, por unë nuk do të ndërhyj në punën e prokurorisë dhe gjyqësorit. Si kryetar i Qeverisë, çdo veprim të paligjshëm do ta përgjigjem vetë, dhe nëse e kam shkelur ligjin edhe ne burg shkoj. Unë i respektoj policët, prokurorët dhe hetuesit, dhe gjithashtu duhet t’i mbroj ata kur kryejnë detyrën e tyre.”, tha Haradinaj.


Haradinaj: Ne jemi zot të shtëpisë, ka me u frocu rendi dhe ligji ne veri 

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka theksuar rëndësinë e forcimit të rendit dhe ligjit në vend përmes qeverisë së ardhshme. Ai nënvizon se proceset aktuale nuk janë të qëndrueshme dhe kërkojnë qasje të përgjegjshme për të garantuar funksionimin e shtetit.

”Rikthimi i kryetarëve, ata duhet të sillen ne bazë të ligjeve të Kosovës, mos te bien ndesh me ligjet e Kosovës. Mendojë që është e mirë që janë ndërtuar urat, por këto proceset tjera nuk janë të qëndrueshme. Me qeverinë e ardshme ka me u frocu rendi dhe ligji ne veri nuk ka me mujt kush me funksionu përtej ligjeve të Kosovës, por janë disa sfida, ne jemi zot shtëpie”, tha Haradinaj ndër tjera.


Haradinaj: Kurti nuk ka pasur vullnet ta formojë qeverinë

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka komentuar situatën e krijuar me huatë dhe fondet e vendit, duke theksuar gatishmërinë e opozitës për të votuar projektet e rëndësishme, por duke kritikuar mungesën e koordinimit dhe planifikimit nga kryeministri aktual, Albin Kurti.

“Situata me këto hua dhe fondin, ne kemi qenë të gatshëm si opozitë për të votuar. Por Kurti u mundua dhe nuk kishte qëllim të kryente punë, as të zgjidhte kryeparlamentarin, as të formonte qeverinë. Ai nuk na ka dhënë as programin e kryeministrit, as listën e kabinetit qeverisës në Kuvend. Sikur ai të kishte pasur vullnet, ju siguroj që opozita do të votonte. Nuk e ka pasur qëllimin; unë si AAK do ta kisha votuar,” tha Haradinaj.


Haradinaj: Kurti është në stres dhe panik për situaten e tij

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK në ”Click” të RTV21, ka komentuar deklaratat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke theksuar se situata aktuale kërkon qasje të mençur dhe rikthim të dialogut strategjik me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë e vendit.

“Po shihet që është në stres dhe në panik për situatën e tij. Nuk duhej të fliste për këto gjëra, sepse në fund të 2018-ës është nënshkruar që kalojnë shifra të mëdha, që ai nuk i ka pritur. Flotën ajrore dhe shumë punë po i kryejmë në dorë të dytë e të tretë, gjë që nuk është mirë. Unë e mirëpres çdo teknik që hyn në Kosovë, por trendi është shumë i ngadaltë dhe jemi në sanksione për shkak të qeverisë. Shpresoj që të kthehet dialogu strategjik, sa më shpejt të kthehemi te temat serioze për sigurinë,” tha Haradinaj.


”AAK fituese”, Haradinaj: Dolëm më të fortë se ai që ishte në pushtet

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK-ja, ka theksuar se pozicioni i tij nuk është ai i një opozitari, duke theksuar forcën e daljes së partisë së tij në zgjedhjet e fundit dhe gatishmërinë për të udhëhequr Qeverinë.

“Nuk jam më opozitar, sepse në zgjedhjet e fundit dolëm më të fortë se ai që ishte në pushtet. Po flas si kryetar i Qeverisë,” tha Haradinaj.


Haradinaj: Marrëdhënia ime me SHBA-të nuk ka ndryshuar asnjëherë

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK-ja në ”Click” të RTV21, ka theksuar se marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të forta, të qëndrueshme dhe nuk kanë ndryshuar për më shumë se 30 vjet. Ai nënvizon se angazhimi i tij ka qenë gjithmonë në interes të vendit dhe jo për imazh personal, duke garantuar se siguria e Kosovës mbetet afatgjatë dhe kredibile.

“Marrëdhënia ime me SHBA-të nuk ndikohet dhe nuk ka ndryshuar asnjëherë gjat 30 viteve. Siguria është për ta është afatgjatë dhe kredibile për atë që i besojnë dhe kanë siguri. Nuk kam bërë kurrë asgjë për të dukur mirë; për 26 vjet kam heshtur dhe nuk e kam keqpërdorur këtë marrëdhënie”, tha ndër tjera Haradinaj.


“Po Ramush, vazhdo”, Ramushi thotë se e ka mbështetjen ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK, ka folur për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe për rolin e tij në forcimin e Ushtrisë së vendit. Ai ka theksuar se, përveç mbështetjes nga aleatët ndërkombëtarë, eksperienca e tij me Ushtrinë dhe vizitat në Shtetet e Bashkuara i japin mundësi të drejtpërdrejtë për të ndjekur rrugën drejt anëtarësimit.

“Përparësi kam, e di që ka sfida sa i përket NATO-s, por e di rrugën për ta kryer punën. Kam biseduar me shumë qeveri që kanë thënë: ‘Na duhet vetëm drita e gjelbërt e Washingtonit.’ Ata din rrugën deri në adresë dhe ne vazhdojmë. Ka shumë shtete serioze të NATO-s që më kanë thënë: ‘Po Ramush, kuptojmë që ke kryer Ushtrinë, vazhdo, kemi prapa ty,’” tha Haradinaj.

Ai shtoi se për çështjen e anëtarësimit në NATO, përvojat e tij me Ushtrinë e Kosovës dhe kontaktet me Shtetet e Bashkuara japin një avantazh të veçantë:

“Çështjen e NATO-s e garantoj që e kam kryer. E di parametrat, nuk kam qenë shef i Pentagonit, por e kam kryer Ushtrinë dhe shefi i Pentagonit më ka pritur personalisht në oborr. Ndodh shumë rrallë që të vendoset flamuri i shtetit dhe gjenerali Mattis më ka përcjellë deri te vetura. Këto ndodhin shumë rrallë,” shtoi Haradinaj.


Haradinaj: Prioriteti im është NATO, jo posti, ditën që ta kryej e lë postin

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK në ”Click” të RTV21, ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO si një hap strategjik për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit. Ai ka bërë thirrje që qytetarët ta marrin seriozisht këtë çështje dhe ka premtuar përkushtim maksimal për ta realizuar procesin, pavarësisht pozicionit të tij politik.

“Kosova duhet të bëhet pjesë e NATO-s pa kushte. Qoftë kur jam mirë, qoftë kur jam keq, nuk mund të hesht, kam pasur mundësinë t’i dorëzoj dokumentet dhe të siguroj rrugën drejt NATO-s. E di se kjo nuk bëhet për pasoje personale, por për vendin, dhe për këtë i kërkoj qytetarëve ta marrin seriozisht fatin tonë. Ditën që do të realizojmë anëtarësimin në NATO, iu premtoj se postin do ta lirojë për këdo tjetër sepse prioriteti im është puna për Kosovën. Edhe nëse nuk bëhem kryetar i Qeverisë, do ta ndihmoj qeverinë e ardhshme, por sa më shpejt, do ta kryej personalisht këtë detyrë,” tha Haradinaj.


Haradinaj: Jam i gatshëm të rri pa punë, vetëm që Kosova të ndryshojë

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK, ka theksuar nevojën urgjente për ndryshim në vend dhe angazhimin e tij personal për të qëndruar pranë qytetarëve në sfidat e përditshme, duke përfshirë çështjet e çmimeve të larta dhe gjendjen ekonomike të familjeve. Ai ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur sektorët kyç si mjekët, mësuesit, studentët dhe familjet në nevojë.

“Duhet të ndodh ndryshimi në Kosovë. Unë jam kandidat për kryetar të Qeverisë, por nuk do ta pengoj formimin e qeverisë me kushte se çfarë pune bëj. Jam i gatshëm të qëndroj pa punë, vetëm që Kosova të ndryshojë gjendjen. Nuk mund të hesht kur shoh gjendjen e familjeve tona. Këtë javë të fundit të muajit, ata që jetojnë prej pagave janë të shqetësuar, çmimet janë rritur. Nuk mund të hesht. Do ta bëj punën krah qytetarëve, krah mjekëve, mësuesve, grave, nënave dhe studentëve. I japim 100 euro një herë, duhet të jenë bursë. Jem krenar që kanë ardhur nga vende të largëta dhe nuk shqetesohemi që ka ikur gjaku ynë,” tha Haradinaj.


”E dua Kosovën edhe kur kam dhimbje në familje”, Haradinaj: Ky rrugëtim më ka kushtuar edhe me njerëz të shtëpisë

Nga Trepça te Ushtria, Haradinaj tregon shërbimin ndaj vendit

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK-ja në ”Click” ka folur për ndikimin e tij gjatë mandatit si kryetar i Qeverisë dhe për arritjet e mëdha që sipas tij kanë shërbyer për interesin e Kosovës. Ai thekson se gjatë kohës së tij janë kryer projekte strategjike si pavarësimi i energjetikës, menaxhimi i Trepçës, krijimi i Ushtrisë dhe mbrojtja e kufijve, të cilat sipas tij kanë fuqizuar vendin dhe nuk kanë lejuar që armiqtë e Kosovës të përfitojnë.

”Nëse Ramush Haradinaj, gjatë kohës që ishte kryetar i Qeverisë, e pengoi ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe i vuri taksë Serbisë, kush ka përfituar: armiqtë tanë apo ne? Nëse Ramushi, gjatë kohës sa ishte kryetar ka realizuar pavarësinë energjetike të Kosovës, kush ka përfituar? Sigurisht Kosova. Nëse Ramushi ka menaxhuar Trepçën, ajo është e Kosovës dhe askush nuk mund ta ndryshojë. Nëse Ramushi ka krijuar Ushtrinë, këto katër punë tregojnë se unë kamë shfrytëzuar kohën kur ishte kryetar për të kryer punët më të mëdha për vendin e tij. Ramushi synon të vijë në krye të Qeverisë, jo për të penguar drejtësinë, jo për të sulmuar mediat, dhe jo për të sulmuar sektorin privat, por me dy qëllime: të prodhojë energji në vend dhe të ndihmojë të gjithë qytetarët. Unë flas me efektet e punës, por në gjendjen ku jemi momentalisht në Kosovë, po përfitojnë armiqtë tanë; po mbyllen bizneset prodhuese dhe po ikën rinia jonë, duke dobësuar marrëdhëniet me aleatët tanë”, tha nder tjera Haradinaj.

Ai tutje ka shtuar se ”Ka disa sinjale që tregojnë se kush është kush, pa u kthyer në të kaluarën time, sepse rruga ime ka qenë e vështirë dhe ka rrugëtim të dhimbshem dhe sfidues, që më ka kushtuar edhe me njerëz të shtëpisë, me njerëzit ma te dashur të mi. Kam kaluar 8 vjet gjatë koalicionit me Ibrahim Rugovën, dhe të gjitha veprat që kam kryer kanë qenë në shërbim të vendit. Nuk kam bërë asnjëherë llogari për imazhin tim; jetoj për çdo punë që mund ta bëj për vendin tim, sepse e dua shumë Kosovën e dua kur jam mirë, kur jam keq dhe kur jam sëmurë, e dua pa kushte edhe kur kam dhimbje në familje”.


”Ruajtja e trashëgimisë  së luftës”, fokus i AAK-së

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK, ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO si një hap strategjik për sigurinë e vendit, lehtësimin e njohjes ndërkombëtare nga Serbia dhe përmbylljen e dialogut. Ai ka theksuar gjithashtu nevojën për ruajtjen e trashëgimisë historike dhe të luftës, duke u përballur me fushata të mohimit dhe fyerjes së kësaj trashëgimie.

“Një çështje tjetër që e kam marrë është anëtarësimi i shpejtë në NATO dhe siguria. Kjo ka një rëndësi të veçantë: nëse anëtarësohemi në NATO, lehtësohet njohja nga Serbia dhe përmbyllet dialogu. Duhet ta ruajmë trashëgiminë, trashëgiminë e luftës,” tha Haradinaj teksa shtoi se “Ka disa fushata për denigrimin e kësaj trashëgimie, për fyerje dhe mohim,” shtoi ai.


”Tri shtylla në programin tonë” Haradinaj: Do i rikthejmë projektet e lëna në tavolinë

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK-ja në ”click” të RTV21 ka prezantuar vizionin e partisë së tij për sektorin energjetik, duke theksuar se pa prodhimin e energjisë vendore, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe rritje të pagave. Ai ka premtuar rikthim të termocentralit me qymyr, shfrytëzim të gazsjellësit dhe përkrahje për familjet me energji solare, si dhe një marrëveshje të re energjetike me Shqipërinë.

“Ne kemi tri shtylla në programin tonë. Një nga shtyllat është mirëqenia. Krahas kalkulimeve buxhetore që kemi bërë për rritjen e pagave, kemi konstatuar se nuk mund të ndryshohet trendi i zhvillimit ekonomik pa prodhuar energjinë tonë. Me çmimet e larta të energjisë jemi të rrezikuar dhe duhet të ndërhyjmë, duke rikthyer një termocentral me qymyr,” tha Haradinaj.

“Me fillimin e gazsjellësit që është funksional, do të fillojmë prodhimin e energjisë. Do t’i favorizojmë të gjitha familjet që kanë panele solare dhe do t’u japim disa lehtësira. Njëkohësisht, do të punojmë për të rikthyer marrëveshjen me Shqipërinë, ku ne do t’u japim energji natën ata ditën, dhe ata verën, ne dimrin. Një nga betimet e mia si kryetar qeverie është prodhimi i energjisë në Kosovë me çmim të arsyeshëm, që do të rezultojë me ulje të çmimit, jo me rritje. Nuk lejojmë më askënd të pengojë këtë proces,” shtoi ai.


Haradinaj: Termocentrali dhe gazsjellësi ishin gati, por nuk u realizuan

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK-ja në ”Click” të RTV21, ka deklaruar se mungesa e funksionalitetit institucional dhe mosvazhdimi i projekteve strategjike energjetike e kanë dëmtuar Kosovën, duke theksuar se kostoja e lartë e energjisë është bërë një nga problemet më të mëdha për qytetarët.

“Mungesa e institucioneve nuk e ka ndihmuar Kosovën. Shqetësimet dhe ndikimet nga jashtë ekzistojnë, por ajo që po e rëndon më së shumti jetën e qytetarëve tanë është çmimi i energjisë. Projektet nuk janë vazhduar. Kam lënë kontratën e gatshme për një termocentral me qymyr prej 450 megavatësh dhe projektin e gatshëm për gazsjellësin dhe centralin me gaz në Ferizaj. Sikur t’i kishim pasur këto kapacitete, gjendja në vend do të ishte më e mirë. Problem i ri është bërë çmimi i energjisë,” tha Haradinaj.


Haradinaj: Partitë opozitare në rritje, Kosova s’duhet të humbasë më kohë

Duke komentuar rezultatin zgjedhor, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se trendi i rritjes së votës së opozitës po vazhdon dhe se kjo reflektohet edhe në rritjen e mbështetjes për AAK-në, me synimin që vendi të mos humbasë më kohë në ngërçe politike.

“Trendi që ka qenë më herët po vazhdon. Dihet se opozita e mëhershme ka fituar më shumë ulëse në Kuvend, gjithsej 52, dhe ky trend pritet të rritet. Kjo nënkupton rritje të votës për partitë opozitare. Në këtë rast, shoh një rritje edhe për AAK-në. I falënderoj të gjithë dhe besoj se kjo do ta ndihmojë Kosovën që të mos humbasë më kohë,” tha Haradinaj.


‘S’kemi atdhe tjetër’, Haradinaj thotë se situata në Kosovë do të ndryshojë pas 28 dhjetorit

Ramush Haradinaj, kandidat i AAK-së për kryeministër në “Click” në RTV21 foli për proceset zgjedhore dhe situatën politike në vend. Ai tha se, pavarësisht se zgjedhjet komunale dhe parlamentare kanë qenë të rregullta, bllokada e gjatë politike e ka detyruar vendin të shkojë sërish në zgjedhje, duke i parë ato si një mundësi për dalje nga ngërçi institucional.

“Zgjedhjet komunale kanë qenë të rregullta, por edhe ato parlamentare të parat kanë qenë të rregullta. Për fat të keq, pas një bllokade të gjatë u detyruam të shkojmë në zgjedhje dhe ja tani jemi sërish në zgjedhje. Këto zgjedhje janë edhe dalje nga ngërçi politik dhe i shohim si mundësi për kthim në normalitet. Ne s’kemi vend tjetër, Kosovën e kemi atdhe dhe do ta kryejmë detyrën secili. I lus që më 28 dhjetor të gjithë ta kryejnë detyrën e vet: subjektet politike, KQZ-ja, policia, vëzhguesit dhe qytetarët. I lus qytetarët që Kosovës t’i dalin zot, të votojnë për Kosovën. Jemi bashkë me diasporën për të votuar bashkë”, tha Haradinaj./RTV21/21Media

Back to top button