Haradinaj-Kurtit: Me qeverisjen tuaj, jeni duke e rrezikuar seriozisht këtë vend!
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot i është drejtuar Kryeministrit Albin Kurti, me ç’rast është shprehur se parametrat e qeverisjes së Kurti sot janë, jo vetëm të dëmshëm por edhe të rrezikshëm për vendin.
Haradinaj i ka shkruar Kurtit se është nder e njerëzi me ditë kur me u tërheq.
I pari i AAK-së ka numëruar dështimet që sipas tij, po i shkakton shtetit Qeveria Kurti.
“Në rrafshin politik, e keni ndarë shoqërinë si me thikë; Në rafshin fetar po nxitni tema që po e rrezikojnë jo vetëm tolerancën fetare që ndër shqiptarë ka qenë vlerë sublime, por edhe identitetin kulturor e kombëtar; Qeverisja juaj e ka qitë në gjunj ekonominë e vendit; Bizneset i keni mbështetur për muri e po i çoni drejt falimentimit; Qasja juaj ndaj komunave është armiqësore; Shtresen e mesme të shoqërisë, po e shndërroni në kategori sociale; Mijëra mësues, mjekë, policë, shërbyes civilë, punëtorë të sektorit publik e privat, por edhe të tjerë, sot kanë problem me mbijetu me pagat që ju i keni lënë ne vendnumëro, duke e bllokuar ligjin e pagave, që kish marrë udhë qysh në qeverisjen time, e kur inflacioni ishte zero;
Në vendin ku qeverisni ju, Ministria e Ekonomisë ka shpenzuar zero euro për kapacitetet gjeneruese energjetike, e në verë paralajmëroni reduktime katastrofike të rrymës, deri në 6 orë terr. Me këtë politikë, Kosovën doni me e ngri në dimër.
Po flitet se doni me e ba llugë edhe në procesin e dialogut me Serbinë. Në vend që të insistohet vetëm në marrëveshjen finale për njohje të ndërsjellë, ju sikur doni me nënshkru një dokument për mos-sulmim të ndërsjellë. Ky dokument është nënshkruar në qershor të vitit 1999, dhe Kosova nuk kthehet atje më.”, ka shkruar ai në Facebook.
Haradinaj iu drejtua Kurtit se me qeverisjen e tij, është duke e rrezikuar seriozisht këtë vend./21Media