Haradinaj në Pentagon kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është takuar me Drejtorin Kryesor për Evropën dhe Politikat e NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes, Alton V. Buland, gjatë vizitës së tij në Pentagon.

Me këtë rast i pari i AAK-së ka kërkuar që me kohë të bëhet antarësimi i Kosovës në NATO.

“Gjatë takimit me z. Buland kërkova që në rrafshin e bashkëpunimit Kosovë-ShBA të ngritet dialogu strategjik për çështje bilaterale mes dy vendeve, në të njëjtën kohë të ndodh anëtarësimi i Kosovës në NATO. Tash që jemi 25 vjet pas intervenimit të kësaj organizate të rëndësishme, ky do të ishte hapi i duhur i cili e ndihmon edhe sigurinë e brendshme, njëkohësisht stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Me këtë rast Haradinaj ka shfrytëzuar mundësinë që të falënderoj Buland për angazhimin e madh që Ushtria dhe Qeveria Amerikane e ka tash e 25 vite në mbështetje të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj, dhe ndihmën që ka dhënë në forcimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Kosova dhe Ushtria e saj është gati të jetë anëtare në krah me Amerikën dhe shtetet tjera që janë pjesë përbërëse e Aleancës veri-atlantike të NATO-s”, ka shtuar tutje Haradinaj./21Media

Back to top button