Haradinaj takon Grenellin në vizitën e tij në SHBA

(Lajm i përditësuar)


Në kuadër të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër, ka zhvilluar një takim pune me të Dërguarin e SHBA-së Posaçëm për Misione të Veçanta, Richard Grenell.

Në një deklaratë pas takimit, Haradinaj theksoi rëndësinë e angazhimit të Ambasadorit Grenell në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, në kuadër të detyrës së tij të re në administratën e dytë të Presidentit Trump.

“Kosova mbetet e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve strategjike me SHBA-në,” deklaroi Haradinaj, duke theksuar se synimi kryesor mbetet anëtarësimi i Kosovës në NATO.

Gjatë ditës, Haradinaj zhvilloi takime edhe me Matthew Whitaker, i përzgjedhur i Presidentit Trump për ambasador të SHBA në NATO, Guvernatoren e Iowas Kim Reynolds, Senatoren Joni Ernst dhe Kongresmenët Randy Feenestra e Zach Nunn nga Iowa e ShBA.

“Në të gjitha bisedat kam diskutuar me prioritet angazhimin e përbashkët të anëtarësimit direkt të Kosovës në NATO dhe kthimit të raportit steategjik mes dy vendeve”, tha Haradinaj.

Haradinaj, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e aktiviteteve festive për inaugurimin e Presidentit Trump.


Haradinaj takime me zyrtarë të lartë të SHBA-së në Iowa: Diskutova për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër i AAK-së, ka thënë se është i nderuar me ftesën që i është bërë për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit amerikan Donald Trump.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se është takuar me senatorë dhe kongresistë amerikanë të Iowas, me të cilët tha se ka biseduar për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme të takohesha me Matthew Whitaker, i përzgjedhur i Presidentit Trump për ambasador të SHBA në NATO, Senatoren Joni Ernst dhe Kongresmenët Randy Feenestra e Zach Nunn nga Iowa e ShBA”.

“Në të gjitha bisedat kam diskutuar me prioritet angazhimin e përbashkët të anëtarësimit direkt të Kosovës në NATO dhe kthimit të raportit strategjik mes dy vendeve!”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka theksuar se Iowa ka luajtur një rol vendimtar në rrugëtimin e Kosovës, dhe mbështetja e palëkundur nga Garda Kombëtare e Iowas, ka rritur bashkëpunimin mes Kosovës dhe ShBA-së.

“Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Iowas, e iniciuar përmes Programit të Partneritetit Shtetëror ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, është e rëndësisë jetike në realizimin e synimeve tona drejt NATO-s. Ajo që filloi si një marrëdhënie e bazuar në mësim dhe mbështetje të ndërsjellë, është shndërruar në marrëdhënie strategjike dhe një afërsi që shkon shumë përtej bashkëpunimit ushtarak. Sot, ajo përfshin lidhje më të gjera mes vendeve tona, edukimit, ekonomisë dhe kulturës, duke qëndruar si një shembull i shkëlqyer i asaj që mund të arrijnë miqësia dhe partneriteti. Iowa ka luajtur një rol vendimtar në rrugëtimin e Kosovës, dhe mbështetja e palëkundur nga Garda Kombëtare e Iowas, së bashku me besimin dhe përkushtimin e tyre, ka ngritur bashkëpunimin tonë në lartësi të reja. Sot, jo vetëm që qëndrojmë krah për krah në paqe, por gjithashtu shërbejmë së bashku në misione për siguri dhe paqe, duke treguar forcën e vërtetë të këtij partneriteti”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Back to top button