Haradinaj ngul këmbë se taksa nuk do të hiqet, derisa të mos ketë njohje nga Serbia

Taksa 100 përqind do të jetë në fuqi

Sot u mbajt mbledhja e parë e Qeverisë për këtë vit. Në mbledhjen e sotme të qeverisë ishte paraparë të diskutohet edhe masa doganore ndaj produkteve serbe dhe boshnjake që kanë hyrë në Kosovë, para taksës. Më saktësisht për mallrat që gjenden në depot doganore dhe që presin zhdoganim. Megjithatë u vendos që të shtyhet për në mbledhjen e ardhshme.

Pas mbledhjes, kreu i Qeverisë Ramush Haradinaj në një konferencë për media ka thënë se derisa nuk ka njohje nga Serbia, taksa 100 përqind do të jetë në fuqi. Haradinaj ka bërë me dije se vendimi  i tij është i qartë dhe ka shtuar se derisa nuk ka njohje në tavolinë vazhdon njejtë.

“Qëndrimi jem është shumë i qartë… Derisa nuk është njohja në tavolinë…vazhdon”, tha Haradinaj, duke folur për taksën ndaj produkteve serbe.

I pari i Qeverisë ka thënë se nuk ka ndonjë koment për qëndrimet e Serbisë, edhe nëse kthehen në qëndrime të BE-së, prapë ka thënë se nuk ka koment. “Ende vazhdojmë me pranu trupa të pajetë në kufi të Serbisë, më kujtohet kur kam qenë kryeministër në vitin 2004, kam shku dhe kam pranu trupa të pajetë në Merdare. Kurrë një çertifikatë Kosova se ka marrë, qysh kanë vdek qysh kanë përfundu. Edhe Kosova është ul në tavolinë me Serbinë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se lidershipi në Kosovë ka dhënë mjaft prova në të kaluarën për një racionalitet dhe ka thënë se mendon që edhe opozita duhet ta shqyrtojë pozicionin e vetë.

Lidhur me zgjedhjen e drejtorit të Aviacionit Civil, Eset Berisha, i cili ka qenë këshilltar i ministrit të MI-së, Pal Lekaj, kryeministri nuk ka dashur ta komentoj.

“Nuk e njoh, as nuk e di këshilltar i kujt ka qenë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj nuk ka dashur të komentojë as për mosdekretimin e Gent Cakajt, nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta duke thënë se atë e ka mik dhe që sipas tij nuk ka të drejtë të komentojë vlerësimin e Presidentit të Shqipërisë.

Për sa i për ketë grevave në arsim, shëndetësi dhe Trepçë, Haradinaj ka thënë se për rregullimin e pagave, Qeveria për herë të parë ka dërguar projektligjin për Pagat, projektligj ky cili rregullon dhe nivelizon pagat në sektorin publik.

Back to top button