Haradinaj për AFP-në: Mund të arrihet marrëveshja brenda këtij viti me Serbinë, por…

Haradinaj ka ritheksuar qëndrimet e tij se nuk do të ketë këmbim territoresh

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj në një intervistë për AFP-në ka ritheksuar edhe njëherë se nëse Serbia vazhdon të thotë se kurrë nuk do ta njohë Kosovën, as Kosova kurrë nuk do ta heqë taksën.

Haradinaj më tej ka ripotencuar qëndrimin e tij se nuk do të ketë këmbim territoresh.

“Në një intervistë për AFP, ritheksova bindjen time se një marrëveshje gjithpërfshirëse me Serbinë është e mundur edhe brenda këtij viti, por jo si rezultat i ndonjë këmbimi territoresh. Diskutimi mbi ndryshimin e kufijve është i rrezikshëm dhe na largon edhe më shumë nga marrëveshja finale. Për t’u dhënë mundësi bisedimeve serioze, në një konferencë ndërkombëtare, në të cilën çdo gjë do të ishte e përgatitur, përfshirë njohjen reciproke, ne do ta pezullonim përkohësisht taksën. Por, nëse Serbia vazhdon të thotë se kurrë nuk do ta njohë Kosovën, përgjigjja ime është se as ne kurrë nuk do ta heqim taksën.”, ka thënë Haradinaj.

Pas fushatës së Serbisë për mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018, kjo taksë ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete. Kundër kësaj take janë shprehur Bashkimi Evropian e po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./21Media

Back to top button