Haradinaj përkujton vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën

“Me vrasjen e tre lajmëtarëve të lirisë u tentua të shuhej zëri i Kosovës dhe e vërteta e saj”

Sot u bënë 37 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, në një atentat në janar të vitit 1982.

Në 37-vjetorin e vrasjes, kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj ka përkujtuar veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se me vrasjen e tyre u tentua të shuhej zëri i Kosovës dhe e vërteta e saj.

“Në 37-vjetorin, i kujtojmë me respektin më të thellë të rënët e 17 janarit 1982, veprimtarët e shquar të çështjes sonë kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Me vrasjen e tre lajmëtarëve të lirisë u tentua të shuhej zëri i Kosovës dhe e vërteta e saj. Vepra e vizioni i tyre ishin frymëzim dhe udhërrëfyes i të gjitha gjeneratave vijuese në angazhimet për lirinë e vendit, deri në mobilizimin e përgjithshëm të popullit tonë, në fundin e shekullit të njëzet. Nderim i përjetshëm heronjve të kombit, që i dhanë drejtim projektit të shumë brezave, deri në lirinë e plotë.”, ka shkruar Haradinaj.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë, në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova./21Media

Back to top button