Haradinaj: Reciprociteti me Serbinë është i drejtë mbështesim institucionet e vendit

Kryeatri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se e mbështet Qeverinë e Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit me Serbinë.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në veri të ruajnë qetësinë.
“Vendimi për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë është i drejtë dhe i ligjshëm edhe në bazë të ligjeve vendore, por edhe atyre ndërkombëtare. Mbështesim institucionet e vendit, organet e rendit dhe sigurisë, për zbatimin e këtij vendimi të drejtë e të ligjshëm. Bëjmë thirrje që qytetarët serb në veri të vendit, të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë, rendin e ligjin”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit për letërnjoftime ndaj Serbisë. Nga dita e hënë qytetarët me letërnjoftime serbe do të pajisen në hyrje dhe dalje të Kosovës me një dokument qarkullimi, ngjashëm siç ndodh tash e disa vjet me qytetarët e Kosovës kur hynë në Serbi. Po ashtu nga nesër do të hapet afati për regjistrimin e automjeteve me targa ilegale, për t’i kthyer ato në targa RKS.
Pas këtij vendimi, serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit./21Media
Back to top button