Haradinaj: S’do lejojmë që kriminelët të marrin ligjin në dorë
Nesër ditë zie në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot vizitoi drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës ku u shprehu ngushëllime kolegëve të policit që u vra dje në detyrë, Izet Demaj dhe për të përkrahur policinë siç tha ai në çdo aspekt.
“Policia do ta merr përkrahjen në tonësi, krejt çka i nevojitet që mos me leju që kriminelët me marrë ligjin në dorë. Dje ka mujt me u vra fëmijë, gra, ka mujt me u vra plot qytetarë të pafajshëm”, duke shtuar se është shumë i prekur me rastin e djeshëm.
Kryeministri gjatë një prononcimi për medie foli edhe për rritjen e pagave për policët, ligjin e sigurimeve të policëve, sigurimin jetësor dhe sigurimin pensional. “Jemi kritiku në rastet e caktuara pse po e bojm ketë, pse po rrisim pagat për prokurorët, gjyqtarët. Po mos harroni se pa rend dhe ligj nuk ka siguri”, u shpreh Haradinaj.
Ai ka shtuar se tani ka filluar procesi për shtimin e efektivëve, pasi Kosova është më e ekspozuar ndaj personave që kanë të kaluar kriminale në vendet perëndimore, siç ishte rasti i djeshëm.
“Kjo do të jetë ditë kthese, vrasja e policit dje do të bëjë një kthesë. Ligjet për sigurimet shëndetësore kanë avancuar janë në fazën finale, në fillim të janarit do t’i procedojë një nga një. Kemi ndryshuar gjendjen në polici, tani jemi në prag të Vitit të Ri, apeloj mos të vozitet në ndikim të alkoolit, mos ta kthejmë festën në zi e dhimbje. Apeloj te policët mos të lëshojnë pe”, ka shtuar Haradinaj.
Më 29 dhjetor do të bëhet varrimi i policit Izet Demaj i cili u vra dje në krye të detyrës. Nesër gjithashtu në Kosovë do të jetë ditë zie./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?