Haradinaj-Stublla dhe Hoti informuan ambasadorët për marrëveshjen e arritur në Washington

 

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla me kryeministrin  Avdullah Hotin dhe Drejtorinë e Përgjithshme të MPJD-së sot kanë zhvilluar një video-konferencë me Ambasadorët e Republikës së Kosovës që janë në misione diplomatike nëpër botë.

Shefja e diplomacisë kosovare ka thënë se bashkë me kryeministrin Hoti, i kanë informuar ambasadorët për marrëveshjen e arritur me 4 shtator në Washington dhe hapat drejt marrëveshjes finale me Serbinë.

“I informuam rreth marrëveshjes së arritur në Uashington për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë nën garancën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si hap i madh pararendës drejt marrëveshjes finale për njohje reciproke. Diskutuam pikat e marrëveshjes së Uashingtonit që ndërlidhen me fushëveprimin e MPJD-së, në veçanti njohjen historike nga Izraeli, dhe implementimin i kësaj marrëveshjeje ditëve në vijim”, ka thënë ministrja Haradinaj Stublla.

Kryediplomatja i ka falënderuar të gjithë ambasadorët për punën e bërë edhe në kohën e pandemisë globale COVID 19 dhe u ka kërkuar njëkohësisht edhe më shumë përkushtim për arritjen e njohjeve të reja.

“I falënderova Ambasadorët tanë për punën e tyre të mirë përkundër gjendjes pandemike dhe masave të kufizimit. Ju kërkova atyre dinamikë të shtuar të veprimit diplomatik në proklamimin e të vërtetës së Kosovës, dhe pro aktivitet në vendet pritëse që të shfrytëzojmë momentumin e krijuar për të krijuar ura të reja miqësie me synimin e shtimit të njohjeve për Kosovën”, ka theksuar shefja e diplomacisë, Haradinaj-Stublla.

Back to top button