Haradinaj takohet me zyrtarin e lartë të DASH-it: Aleanca me SHBA-në është e përjetshme

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka takuar sot në Ambasadën Amerikane në Prishtinë me Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, si dhe me zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit në detyrë, Mark Fleming.
Përmes një postimi në Facebook Haradinaj, ka bërë të ditur se në takim ka theksuar rëndësinë strategjike të forcimit të marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë në partneritetin për siguri.
Haradinaj ka shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim të plotë në NATO.
“Në Ambasadën Amerikane pata kënaqësinë të takohem me Zyrtarin e Lartë të Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë, Mark Fleming. Në takim theksova rëndësinë strategjike të forcimit të marrëdhënieve bilaterale të Republikës së Kosovës me SHBA-në, si dhe nevojën për të thelluar partneritetin në fushën e sigurisë. Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim të plotë në NATO, dhe mbështetja e SHBA-së është tepër e rëndësishme për këtë rrugë. Aleanca jonë më Amerikën është e përjetshme dhe e pathyeshme, ndërsa përkushtimi ynë si vend është i palëkundur për ta forcuar këtë aleancë çdo ditë”, ka shkruar Haradinaj.