Haradinaj: Taksa 100% e pengon formalizimin për ndarje

“Sot 20 vjet pas çlirimit, dialogu u devijua nga disa qarqe”

Në 29-vjetorin e vrasjes së heroit Enver Hadri është mbajtur akademi përkujtimore nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.

Ky i fundit nuk kurseu as këtë akademi pa përmendur dialogun dhe taksën, ku tha se dialogu është devijuar nga disa qarqe.

E në anën tjetër, ai tha se Enver Hadri është mishërim i fatit të shqiptarëve për dy shekuj.

“Enveri ishte detyruar ta lë Pejën, jemi dëshmitarë të dëbimit të muhaxhirëve. Ai ishte ambasadori i parë i Kosovës, në Bruksel. Pushteti i kohës e vuri në shënjestër. Sot 20 vjet pas çlirimit, dialogu u devijua nga disa qarqe, duke u vu në dialog për territore. Taksa 100 për qind e pengon formalizimin për ndarje. Enveri vritet në pritë derisa po kthehet nga varri prej nënës. Ai e kishte përpiluar rezolutën për vrasjen e mbi 20 civilëve shqiptarë, po atë ditë”, tha Haradinaj.

Reshat Sahitaj, bashkëpunëtor më i ngushtë i Enver Hadrit në këtë akademi përkujtimore tha se aprovimet e rezolutës që kishte përpiluar vetë, nuk kishte arritur t’i gëzojë, pasi ai është vrarë nga forcat serbe.

“Ambasada e Kosovës në Bruksel nuk ka qenë e interesuar për të hapur rastin e vrasjes së Enver Hadrit. Sot për herë të parë mbahet kjo akademi për veprën dhe rolin e Enverit”, tha ai.

Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018 kjo taksë ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete.

Back to top button