Haradinaj: Vendimi i ShBA-së për sanksionimin e krerëve të krimit, lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sonte ka deklaruar se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sanksionimin e krerëve të krimit të organizuar në Kosovë, është lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën.
I pari i AAK-së ka shkruar se vendimi do të ndihmojë misionin tonë të përbashkët për të goditur krimin transnacional në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.
“SHBA dhe Kosova janë të përkushtuar për sundimin e ligjit dhe kjo është një përpjekje e përbashkët për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ndryshe, Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar sot rrjetet e korrupsionit në disa shtete të Evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajmi është bërë i ditur nga kjo zyrë përmes një komunikate për media, ku është shkruar se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontroll të disa bizneseve në disa rajone./21Media

Back to top button