Avdyli për presidentin: Vjosa Osmani, emri i vetëm i propozuar deri tani brenda koalicionit

Haxhi Avdyli nga partia Guxo për RTV21 foli mbi kandidaturën për president të Kosovës, duke theksuar se Vjosa Osmani mbetet kandidati më i përshtatshëm dhe i pranueshëm për të gjithë palët politike.
I pyetur nga RTV21 nëse Vjosa Osmani është emri që është diskutuar brenda koalicionit VV-Guxo-Alternativa, Avdyli tha se përveç saj, deri më tani nuk ka ndonjë emër tjetër që është propozuar për postin e presidentit.
“Për respektin që kanë edhe deputetët e VV-së dhe udhëheqësit e VV-së për punën e Vjosës Osmani, kjo atmosferë do të vazhdojë. Deri sot unë nuk kam dëgjuar emër tjetër përveç Vjosa Osmanit. Ndoshta mund të dëgjojmë në ditët në vijim ndonjë propozim tjetër nga opozita apo kushdo tjetër. Deri tash një propozim është Vjosa Osmani – ajo i plotëson të gjitha kriteret. Pëlqyeshmëria e Vjosës Osmani është e tillë që shifrat arrijnë deri në 80%, dhe është një person që pëlqehet nga të gjithë. Pse duhet të emërohemi me dikë tjetër? Ndoshta edhe ai është i mirë, por për të arritur shkallën e Vjosës Osmanit duhet ndoshta shumë vite,” tha Avdyli./RTV21/21Media