Haxhi Shala dhe Sabit Januzi pranojnë akuzën e frikësimit të një dëshmitari dhe pengimit

Haxhi Shala dhe Sabit Januzi kanë pranuar akuzën e frikësimit të një dëshmitari dhe pengimit në marrëveshje për pranimin e fajësisë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Të pandehurit janë akuzuar për frikësim gjatë procedurave penale dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në një reagim lidhur me marrëveshjet, prokurorja e specializuar, Kimberly West ka thënë se arritja e marrëveshjes është “dëshmi e forcës së hetimeve tona lidhur me çështjet e frikësimit dhe pengimit të drejtësisë”.
“Ne e bëmë këtë pas një shqyrtimi të kujdesshëm që mori parasysh, midis të tjerave, rëndësinë e pranimit të përgjegjësisë në këtë kontekst, përfitimet e arritjes së përmbylljes herët të çështjes në mënyrë të drejtë, dhe mendimet e viktimave”, ka thënë ajo, bëhet e ditur në një komunikatë për media nga Specialja.
Gjyqi ndaj Shalës dhe Januzit, së bashku me Ismet Bahtijarin, ishte planifikuar të hapej më 14 nëntor 2024.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?