Haxhimusa: Një person e udhëheq ZRRE-n dhe cakton tarifat

(Lajm i përditësuar)
Haxhimusa: Një person e udhëheq ZRRE-n dhe cakton tarifat
Eksperti i energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka kritikuar menaxhimin e ZRRE-së gjatë qeverisë së tanishme, duke theksuar se vendimet për rritjen e tarifave po merren pa kapacitete të mjaftueshme menaxhuese. Ai paralajmëron se kjo situatë rrezikon stabilitetin e sektorit energjetik dhe e bën më të vështirë menaxhimin e ngarkesës në sistem.
“Për fat të keq, ZRRE gjatë gjithë kësaj periudhe, që nga 2020 e tutje, është sulmuar përmes shkurtimit të buxhetit. Në të njëjtën kohë, bordi ka kërkuar rritje të buxhetit dhe të stafit, sepse stafi aktual nuk mund të menaxhojë proceset. Aktualisht, një person i vetëm përcakton tarifat – a duhet të kemi 20% rritje apo jo,” tha Haxhimusa.
Eksperti i energjisë: Kosova nuk është gati për pompat termike, ngrohja me dru zgjidhja më e sigurt
Eksperti i energjisë, Adhurim Haxhimusa, në ”Click” të RTV21 paralajmëron se qytetarët po inkurajohen të kalojnë nga ngrohja me dru tek pompat termike, por sistemi energjetik i Kosovës nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për t’i përballuar këto ndryshime. Sipas tij, për momentin, mënyra më e efektshme e ngrohjes mbetet me dru, qymyr, gaz ose derivate të naftës.
“Rezultati i politikave paradoksale të Kosovës, të qeverisë dhe të ZRRE-së, është i dukshëm: nga njëra anë, kemi inkurajuar qytetarët të kalojnë te ngrohja me energji elektrike; pompat termike janë një zgjidhje e mirë, por vetëm kur kapacitetet gjeneruese janë të larta dhe sistemi është i eficient. Për momentin, forma më e përshtatshme për shkarkimin e ngarkesës në sistemin elektroenergjetik është ngrohja me dru, qymyr, gaz apo derivate të naftës. Nuk është forma e duhur të kalosh nga ngrohja me dru direkt tek pompat termike,” tha Haxhimusa.
Haxhimusa: Thirrjet e Kurtit për kursim energjie nuk kanë asnjë ndikim real
Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka kritikuar deklaratat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti lidhur me kursimin e energjisë, duke i cilësuar ato si një goditje ndaj politikave që vetë qeveria ka ndjekur.
Në një prononcim për ”Click” në RTV21, Haxhimusa ka theksuar se thirrjet për uljen e temperaturave dhe kursimin e energjisë nuk kanë dhënë rezultate konkrete, jo vetëm në Kosovë, por as në shumë vende të tjera gjatë periudhës së krizës energjetike.
Sipas tij, përvoja ndërkombëtare ka treguar se apelimet publike për kursim nuk kanë sjellë ndryshime të ndjeshme në konsumin e energjisë, duke i cilësuar këto thirrje si “të thata” dhe pa ndikim real tek qytetarët./RTV21/21Media