Haxhiu: Do ta dërgojmë emrin për kryeministër pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu deklaroi tha se pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm – që sipas saj do të mbahet shpejtë – do ta dërgojnë tek presidentja emrin e Albin Kurti për kryeministër. Kështu u shpreh ajo pas dështimit të mbledhjes së kryesisë, e cila u thirr nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka thirrur mbledhje të kryesisë për ditën e sotme, por e njëjta nuk u mbajt për shkak të mungesës së kuorumit. Në këtë mbledhje kanë munguar nënkryetarët nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se Kuvendi ka legjitimitet që të ushtrojë mandatin e vet.
“Kuvendi ka legjitimitetin dhe kapacitetin për të ushtruar mandatin e vet, sidomos atë që e tha edhe kryetari Basha që nënkryetarët e kuvendit janë zgjedhur dhe e kemi shumicën, përveç kryetarit të Kuvendit janë edhe katër nënkryetarë të cilat janë zgjedhur. Ne sot vetëm njërin ta kishim pasur prej tyre do të mund të mbanim mbledhjen e kryesisë sepse nevojiten katër anëtarë që mbledhja të fillojë dhe të vazhdojë. Ne nuk mund dhe nuk duhet që ta ndalim punën e institucionit më të lartë përfaqësues në Republikën e Kosovës, nuk mund që ky kuvend të mbetet peng i Listës Serbe apo i kalkulimeve politike të ndonjë subjekti që refuzon të marrë përgjegjësi”, deklaroi ajo.
Ajo bëri të ditur se shumë shpejt do të dërgojnë emrin e mandatarit për kryeministër tek presidentja, pasi të mbajnë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.
“Ne do t’i shikojmë mundësitë që ta bëjmë këtë. Na duhet paraprakisht që ta kemi një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm ku e votojmë mandatarin dhe pastaj, zonja Arbërie Nagavci e cila njëherësh është edhe kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së ta dërgojë emrin e kryeministrit Kurti te presidentja Osmani dhe mandej presim që presidentja Osmani të veprojë në këtë drejtim, pikërisht në emër të funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës. Pra, paraprakisht na duhet një mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm, unë jam e bindur që ata do ta mbajmë të jashtëzakonshëm dhe shpejt për shkak të rrethanave në të cilat jemi”, deklaroi Haxhiu para mediave.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se “koha e lojërave apo pazareve politike ka perënduar”.
“Opozita jonë nuk ka votë kundër për Listën Serbe, votë kundër kanë për mua, votë kundër kanë për zonjën Donika Gërvallën, për Hekuran Muratin, për Arbërie Nagavcin, por jo për Listën Serbe. Madje u siguruan që të ja gjejnë edhe një deputet që Lista Serbe t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Siç e keni parë, AAK pasi e mori e përjashtoi, kinse për votën për Listën Serbe por duket hapur që e ka bërë këtë për të ja mundësuar Listës Serbe që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ajo pas dështimit të mbledhjes.
Para gazetarëve, Haxhiu tha se ka pasur “takime të kryesuesit të KQZ-së me institucionet e sigurisë”, ku sipas saj në këto takime KQZ është pajisur me informacione për këtë parti.
“Unë jam e bindur që institucionet e sigurisë e kanë informuar kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me informacione për Listës Serbe, njësoj edhe PZAP-in, njësoj edhe Gjykatën Supreme, por që nuk kanë vepruar”, përfundoi ajo./kp