Haxhiu e akuzon Tahirin për shpifje, kërkon reagimin e institucioneve të drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj akuzave të paraardhësit të saj në këtë pozitë, Abelard Tahiri, i cili ka kërkuar sqarim nga partia në pushtet për zhdukjen e mostrave të rastit të Astrit Deharit dhe kthimin e tyre sërish në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Haxhiu ka thënë se Tahiri po shpif, teksa ka kërkuar reagim të institucioneve përkatëse të drejtësisë.

“Si ministre e Drejtësisë, kam për obligim të demantojë shpifjet e trilluara, ndërsa të njëjtit le t’i mbetet për tu sqaruar më tej në organet kompetente, me shpresën që pas këtyre deklaratave do të ftohet si dëshmitar. Për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, i kam njoftuar institucionet e drejtësisë në orët e mbrëmjes së 7 dhjetorit të vitit 2022, ndërsa opinionin publik përmes konferencës për medie më 8 dhjetor 2022. Për të gjitha këto ekzistojnë dëshmitë. Aludimi i tij në konferencën e djeshme për media, se Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit kanë qenë në njohuri për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari, që në pranverën e vitit 2022, zgjon dyshimet e bazuara se mbase z.Tahiri ka qenë i informuar që prej asaj kohe”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Haxhiu më tej ka kërkuar që Tahiri të dëshmojë si dëshmitar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, lidhur me dyshimet që sipas saj, i ka ngjallur përmes deklaratës së tij.

“Përse Abelardi e përmend pranverën e vitit 2022? Me çfarë saktësisht e ka ndërlidhur ai këtë? A ka qenë ai i informuar apo edhe i përfshirë në atë mision të zhdukjeve të mostrave? Të gjitha këto dyshime që i mundësoi z. Tahiri përmes deklaratës së tij, le t’i dëshmojë tashmë edhe si dëshmitar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Motivet për zvarritjen e zbardhjes së rastit të vrasjes së Astrit Deharit mbesin ende të panjohura për ne, dhe për këtë familja e Astrit Deharit kanë kërkuar në vazhdimësi që të ndryshohet Prokurori. Abelard Tahiri po ashtu thekson së që nga zhdukja e mostrave u vështirësua dhe mjegullua hetimi në rastin Dehari edhe pse ai e di shumë mirë që analizat e atyre mostrave janë bërë që nga koha kur është vrarë Astriti dhe raportet për të njëjtat tashmë janë në Prokurori. Zërat e tillë vijnë për të larguar vëmendjen nga diku tjetër, dhe asnjëherë për të hedhur dritë mbi të vërtetën. Por, le të shpresojmë që deklarata e tij mund t’i kontribuojë të vërtetës për zhdukjen e mostrave, siç potencon ai ‘që nga pranvera e vitit 2022’”, ka shtuar ajo.

Back to top button