Haxhiu e quan hap të rëndësishëm vendimin e Kushtetueses për masë të përkohshme

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka vlerësuar si hap shumë të rëndësishëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosje të masës së përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për të shpërbërë Kuvendin.
Kushtetuesja të hënën vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj Dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është një hap i rëndësishëm për të parandaluar pasoja që mund të dëmtonin funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit. Kuvendi i Republikës përfaqëson drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve dhe roli i tij në jetën demokratike të vendit është i pazëvendësueshëm. Vendimmarrja për institucionet nuk mund të jetë rezultat i veprimeve të njëanshme, por duhet të respektojë parimet e përfaqësimit demokratik. Në këtë periudhë, për shkak të masës së vendosur nga Gjykata, aktiviteti i Kuvendit mbetet i kufizuar, gjë që ndikon drejtpërdrejt në mundësinë e institucionit për të ushtruar funksionin e tij në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo ka thënë se pret nga Kushtetuesja të japë vendim që “ta mbrojë Kushtetutën, rendin demokratik dhe funksionimin e rregullt të institucioneve”.