Haxhiu: KPK është e kapur nga grupe interesi

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Këshilli Prokurorial i Kosovës është i kapur nga grupe interesi që mbrojnë interesa personale, e jo që kanë prioritet reformimin e sistemit prokurorial.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm, duke shtuar se reforma në KPK pritet të hyjë në fuqi në janar 2026 për rikthimin e integritetit në institucion.

Ndër të tjera, Haxhiu tha se shumica e anëtarëve aktualë të KPK-së kanë penguar reformën, por drejtësia dhe interesi publik nuk mund të ndalen nga grupet e izoluara.

Reagimi i plotë:

Sot të gjithë po e shohin qartë atë për të cilën kemi paralajmëruar ndër vite. KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi që nuk e kanë prioritet përmirësimin e sistemit prokurorial, por mbrojtjen e interesave të tyre dhe të individëve jashtë Këshillit.

Ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm.

Reforma në KPK pritet të jetësohet në janar 2026, dhe ky është një hap i domosdoshëm për rikthimin e integritetit në institucion.

Që nga viti 2021, kur kemi nisur reformat në drejtësi, synimi ka qenë i qartë, heqja e kontrollit të një rrethi të ngushtë njerëzish, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, eliminimi i ndikimit të grupeve të interesit që e kanë përdorur institucionin për interesa personale e grupore, forcimi i meritokracisë mbi lidhjet apo klanet, dhe krijimi i një institucioni që funksionon në shërbim të publikut, jo të individëve të privilegjuar.

Shumicës së anëtarëve aktualë të KPK-së kjo reformë u ka penguar që nga dita e parë. Ata kanë përdorur çdo mjet të mundshëm për ta bllokuar, por nuk ia dolën dhe nuk do t’ia dalin, sepse drejtësia dhe interesi publik nuk mund të ndalen nga grupe të izoluara interesi.

Back to top button