Haxhiu lë në pritje Kuvendin

Kanë kaluar tetë ditë nga afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do ta lërë në pritje konstituimin e legjislativit, pasi u ka dhënë kohë partive politike që të arrijnë marrëveshje për çështjen e presidentit. Në një përgjigje për RTV21, nga Presidenca thanë se seanca konstituive do të thirret brenda afatit kushtetues.
“U.D. Presidentja Haxhiu do ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë. Kushtetuta përcakton që seanca konstituive e Kuvendit thirret nga Presidenti/Presidentja brenda 30 ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Në rastin konkret, ky afat përfundon më 7 gusht.
Duke pasur parasysh se afati për zgjedhjen e Presidentit është 60 ditë dhe fillon nga dita e konstituimit të Kuvendit, U.D. Presidentja Haxhiu vlerëson se partive politike duhet t’u lihet koha dhe hapësira e nevojshme për bisedime dhe për arritjen e marrëveshjes që i duhet vendit për zgjedhjen e presidentit.
U.D. Presidentja po vepron brenda kompetencave dhe afateve kushtetuese, duke synuar që Kuvendi i ri të konstituohet me një perspektivë reale për krijimin e institucioneve dhe për shmangien e një bllokade tjetër.”, thuhet në përgjigjen e Presidencës,
Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron punën e Kuvendit, e quan të panevojshme zvarritjen e caktimit të seancës konstituive nga ushtruesja e detyrës së presidentes. Hulumtuesi në Zyrën Ligjore të këtij instituti, Vullnet Bugaqku, tha se mosthirrja e seancës konstituive i bllokon afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit të ri.
“Nuk ka nevojë dhe as arsye që të zvarritet edhe më tutje të paktën caktimi i seancës konstituive, për faktin se ne besojmë se Kuvendi duhet të jetë funksional. Zgjedhjet kanë përfunduar, rezultatet janë certifikuar dhe tani është koha që deputetët e Kuvendit të japin betimin dhe ta ushtrojnë funksionin e tyre, në mënyrë që të hapet rruga edhe për formimin e institucioneve të tjera, të Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.”, tha Bugaqku.
Po ashtu, edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka bërë thirrje ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, që ta thërrasë pa vonesa seancën për konstituimin e Kuvendit. Melos Kolshi nga ky institut vlerëson se ka shumë projektligje që presin miratimin në Kuvend.
“Seancën konstituive të mos e llogarisë si të lidhur drejtpërdrejt me formimin e Qeverisë dhe me zgjedhjen e presidentit, por Kuvendi duhet të konstituohet sa më parë, në mënyrë që të fillojnë të rrjedhin edhe afatet kushtetuese. Kuvendi është organ legjislativ dhe duhet të jetë sa më shpejt funksional.”, tha Kolshi.
Përfaqësuesit e të dy instituteve, KDI-së dhe IKD-së, kërkojnë nga partitë politike që konstituimi i Kuvendit të mos zvarritet për shkak të pazareve politike.
“Nëse eventualisht kjo ndodh, do të sjellë paqartësi sa i përket situatës dhe mënyrës se si duhet të veprohet. Gjykata Kushtetuese nuk ka sqaruar se çfarë ndodh nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh. Nuk i dimë pasojat kushtetuese apo politike për deputetët apo për Kuvendin në tërësi.”, shtoi Bugaqku.
“Duke e marrë parasysh edhe praktikën e mëhershme, çështja e konstituimit të Kuvendit ka qenë jashtëzakonisht problematike. Jo për shkak të mungesës së normave kushtetuese, por për shkak të mungesës së vullnetit politik, në veçanti të subjektit më të madh politik. Kjo praktikë po na ndjek edhe tani. Seanca ka mundur të thirrej menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve.”, tha Kolshi.
Deri më 7 gusht, Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, ka afat kushtetues për konstituimin e Kuvendit./RTV21/Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?