Haxhiu ngushëllon për vrasjen e gruas nga Graçanica: Po angazhohemi në parandalimin e femicidit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas lajmit se një grua humbi jetën sot në QKUK pasi ishte rrahur nga bashkëshorti i saj.
Ajo shprehu ngushëllimet e saj dhe tha se rastet e dhunës dhe vrasjeve ndaj grave janë realitet i frikshëm dhe se duhet të punojnë në parandalimin e këtyre rasteve.
“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen tragjike të jetës së 41-vjeçares nga Graçanica. Rastet e dhunës dhe vrasjet e grave janë realiteti i frikshëm dhe i papranueshëm dhe po angazhohemi në vazhdimësi që të ngrisim vetëdijen shoqërore me qëllim të parandalimit të rasteve të dhunës dhe femicidit dhe që dhunuesit dhe vrasësit e grave të marrin dënimet maksimale”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Tutje ajo shoti se institucionet duhet të marrin me seriozitet çdo rast të dhunës dhe dhunuesit duhet mbajtur përgjegjës.
“Është e nevojshme që institucionet përgjegjëse të angazhohen për një sistem që garanton që çdo rast i dhunës trajtohet me seriozitetin e merituar dhe mbajtjen e dhunuesve e vrasësve përgjegjës.”, përfundoi Haxhiu.