Haxhiu: Nuk shoh vullnet nga KPK-ja për reformim

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk sheh përpjekje dhe as vullnet nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për reformim, ndërsa ka vlerësuar punën e Këshillit Gjyqësor.

Ajo së fundmi e ka vlerësuar punën e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Duke ju përgjigjur pyetjeve që i janë bërë në rrjetin social Instagram, Haxhiu është shprehur skeptike se mund të ketë reforma pa hyrë në fuqi Ligji për KPK-në.

“Nuk shoh përpjekje dhe as vullnet nga ana e KPK për reformim. Pra nuk kam besim qe mund të bëhen reformat aty pa hyrë në fuqi Ligji per KPK. Ndersa sa i perket KGJK, e vleresoj punen dhe angazhimin e tyre tani per tani”, ka shkruar Haxhiu.

KPK-ja ka qenë vazhdimisht shënjestër e sulmeve nga liderët aktualë shtetërorë.

Së fundmi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kritikoi KPK-në pasi sipas tij ndonëse kanë kaluar tre muaj nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ende nuk janë ngritur aktakuza dhe nuk ka informacione për publikun. Edhe në të kaluarën, përfaqësuesit e Qeverisë kanë kritikuar KPK-në për mosefikasitet.

Back to top button