Haxhiu për vrasjen e 18 vjeçares: Dhuna të luftohet pareshtur e të dënohet ashpër
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot ka reaguar pas vrasjes së një vajze 18 vjeçare në Ferizaj. Haxhiu ka bërë të ditur se dhuna e këtyre përmasave është alarm që duhet të mobilizojë institucionet e policisë, prokurorisë dhe gjykatave, t’i trajtojnë me prioritet e me seriozitetin maksimal rastet e dhunimit, kurse dhunuesit të vihen përballë drejtësisë.
“Inkurajimit të qytetarëve për të raportuar dhunën, duhet t’i përgjigjemi me veprime konkrete, në gjetjen e dhunuesve dhe sjelljen e tyre përpara drejtësisë. Është e domosdoshme të veprojmë, pa vonesa, e me përkushtim maksimal.”, ka shkruar ministrja në facebook.
Ajo ka shtuar se dhuna duhet të luftohet dhe të dënohet ashpër.
“Cenimi i lirisë, qoftë përmes ngacmimeve seksuale, shantazheve e deri te dhuna ndaj grave apo kujtdo tjetër, është e papranueshme dhe si e tillë duhet të trajtohet, pa kompromis ndaj dhunës, e me dënimin e merituar ndaj dhunuesve. Ky fenomen duhet të luftohet pareshtur. Dhuna nuk mund të normalizohet, si rrjedhojë duhet të dënohet ashpër.”, ka shkruar Haxhiu në facebook.
Dje rreth orës 15:08, dy persona e kanë dërguar pa shenja jete një 18 vjeçare në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur. Trupi i pajetë i 18 vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion. Lidhur me rastin policia ka arrestuar njërin nga të dyshuarit, Arbër Sejdiun, ndërsa është duke kërkuar Dardan Krivaqën, të cilët dyshohen për “Vrasje të rëndë”.
Viktima M.O, e cila ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Ferizajt, dyshohet se ishte keqtrajtuar nga i dyshuari Dardan Krivaqa, për motive të ulëta. Prokuroria ka njoftuar se me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore./21Media