​Haxhiu për vrasjen e trefishtë në Gjilan: Dy nga të dyshuarit kanë qëndruar vetëm pak muaj në paraburgim

Ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se bazuar në informacionet e siguruara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, dy nga të dyshuarit për vrasjen e trefishtë sot në Gjilan, kanë qëndruar vetëm pak muaj në paraburgim, nga data 21 qershor 2024 deri më 8 tetor 2024, me ndërprerje paraburgimi nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se kjo periudhë shumë e shkurtër paraburgimi për veprat që ata dyshohen të kenë kryer tregon një problem serioz në trajtimin e rasteve nga institucionet e drejtësisë.

“Një qëndrim kaq i shkurtër dhe ndërprerja e paraburgimit, mund të çojë në pasoja tragjike siç pamë sot me vrasjen e trefishtë. Sistemi i drejtësisë duhet të tregojë përgjegjësi maksimale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.

Mefail Shkodra (53), Edonis Shkodra (25) dhe Engjull Shkodra (22) janë tre personat e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës për shkak të vrasjes së trefishtë sot në Gjilan dhe plagosjes së një personi tjetër.

Back to top button