Haxhiu reagon pas deklaratave të Osmanit për Labanin, fajin ia hedh Hashim Thaçit

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Presidentes për tërheqjen e kërkesës për seancën konstituive nga Kushtetuesja, për shkak të gjyqtarit serb Laban.
Haxhiu ka thënë se në vitin 2018, presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi, kishte injoruar thirrjet për mosdekretim të Llabanit.
Ajo ka thënë se kishin dërguar kërkesë zyrtare ndaj ish kryetares së Kushtetueses, Arta Rama- Hajrizi, për fillimin e procedurave për shkarkimin e tij.
“Ndërhyrje në pavarësinë e tyre”, Haxhiu thotë se thuhej në përgjigjen që e kanë pranuar.
“Kur në vitin 2018, ish-Presidenti Thaçi kishte injoruar thirrjet tona për të mos e dekretuar Radomir Llabanin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të së kaluarës së tij kriminale dhe duke pasur parasysh që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese shkarkohen nga Presidenti por paraprakisht me propozimin e 2/3 të gjyqtarëve të kësaj gjykate dhe jo nga ndonjë organ tjetër, ne i kishim drejtuar një kërkesë zyrtare ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, duke kërkuar fillimin e procedurave për shkarkimin e tij. Megjithatë, në vend që të merrej parasysh kjo kërkesë, ne kishim pranuar një përgjigje zyrtare në të cilën thuhej se kërkesa jonë përbënte “ndërhyrje në pavarësinë e tyre.”, ka shkruar ndër tjerash Haxhiu në Facebook.