Haxhiu: Serbët e Kosovës votojnë me postë ose te zyra ndërlidhëse

Qeveria e Kosovës ka përsëritur qëndrimin e saj lidhur me zgjedhjet e 3 prillit në Serbi, se qytetarët e Kosovës me dy shtetësi do të mund të votojnë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse në Kosovë. Për këtë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se janë në një linjë me Kuvendin dhe presidenten e vendit. Haxhiu ka thënë se synimi i Serbisë që të organizojë zgjedhjet edhe në Kosovë ka të bëjë me pretendimet e saj territoriale ndaj Republikës së Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë ka kujtuar rezolutën e nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës përmes së cilës ishte ndaluar mbajtja e referendumit serb në territorin e Kosovës, për çka ka thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe legjislacioni në fuqi.
“Konsiderojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme që të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës por edhe legjislacioni në fuqi. Edhe rezoluta e Kuvendit por edhe qëndrimet e qeverisë janë në linjë të njëjtë, por po ashtu këtë qëndrim e ka edhe presidentja e vendit, qytetarët të cilët kanë dy shtetësi natyrisht që ne duhet t’u ofrojmë zgjidhje mirëpo atë zgjidhje e kemi dhënë që në zyrën ndërlidhëse pra këtu në Kosovë apo me postë. Këto janë dy propozime që ne i kemi thënë edhe publikisht, nuk ka diçka tjetër në këtë drejtim”, ka thënë ajo./21Media

Back to top button