Haxhiu takoi përfaqësuesit e Odës së Ndërmjetësuesve

 

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka takuar sot përfaqësuesit e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës Faton Morina, si dhe kryetaren aktuale të Bordit të Odës së Ndërmjetësuesve, Adelina Isufi.

Morina dhe Isufi e informuan ministren lidhur me angazhimet e Odës së Ndërmjetësuesve, që nga themelimi i Odës e deri te organizimi i seancave të ndërmjetësimit online, që në vitin e fundit kanë kontribuar në zgjidhjen e më shumë se 5 mijë rasteve përmes ndërmjetësimit.

Përfaqësuesit e Odës po ashtu e njoftuan ministren me nevojën e hartimit të politikave të ndërmjetësimit, që i referohen regjistrit të ndërmjetësuesve, por edhe tarifave të tyre, ashtu siç është paraparë me Ligjin për Ndërmjetësimin.

Haxhiu ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me vonesën në zbatimin e procedurave ligjore në qëllim të adresimit të obligimeve të parapara me Ligj.

Lidhur me këtë, Haxhiu është zotuar të ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm, në një procedurë sa më të shkurtër, ashtu që pasqyra e akteve nënligjore që fuqizojnë ndërmjetësimin të miratohet dhe të kontribuojë më tutje në promovimin e ndërmjetësimit, si njërës prej metodave për zgjidhjen e kontesteve që lehtëson qasjen e qytetarëve në drejtësi./21Media

 

Back to top button