Kaloni te përmbajtja kryesore

Haxhiu: Të rinjtë duhet t’i mbrojmë nga droga, trafikantët të goditen pa kompromis

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, u zotua se do ta adresoj së shpejti çështjen që Kosova brenda një kohe të shkurtër ta ketë një qendër të rehabilitimit, që do të një qendër profesionale ku trajtohen personat që janë të varur nga substancat narkotike.

Zotimin ajo e dha në Ditën Ndërkombëtarë kundër abuzimit të drogave dhe trafikimit të paligjshëm, ku vlerësoi se për drogat dhe pasojat e tyre, duhet të flitet hapur, pa paragjykime dhe pa e fshehur rrezikun.

“Më ka rënë rasti që me taku shumë prindër të cilët përballen me fëmijë që janë të varur nga substancat narkotike, sidomos në periudhën që e përmenda, sa kam qenë ministre e drejtësisë. Dhe kërkesa e tyre dhe që do ta adresoj edhe sot, është pikërisht ajo që ju e përmendët, që edhe republika jonë, Republika e Kosovës të ketë një qendër të rehabilitimit, qendër profesionale ku trajtohen personat që janë të varur nga substancat narkotike. Unë kam marrë zotimet edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme edhe të Ministrisë së Shëndetësisë, sepse gjatë kësaj periudhe kohore kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me Ministrinë e Shëndetësisë, sepse siç na duhet hapësira… në atë kohë, administrata publike ka qenë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pra siç na duhet një hapësirë për këtë qëllim, na duhen edhe profesionistë pastaj që merren me këto raste. Dhe kur jemi te profesionistët, pra këtu duhet të vendoset fokusi jonë dhe unë jam shumë optimiste që në të ardhmen e afërt do ta kemi një qendër të tillë rehabilituese, sepse me problemet me të cilat përballemi, është për mua e papranueshme që nuk e kemi ende një qendër të tillë, por sipas zotimeve që ne kemi marrë, kjo qendër do të adresohet”, u shpreh Haxhiu.

Tutje, Haxhiu tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të jetë i pakompromis ndaj trafikantëve, teksa sipas saj, shteti duhet të tjetë maksimalisht i kujdesshëm ndaj personave që kanë nevojë për trajtim.

“Pra meqë po flasim për varësinë, dua të them që personi i varur nga substancat narkotike nuk është as kriminel, e nuk është as trafikant. Këto duhet t’i kemi të qarta. Është një njeri që ka nevojë për trajtim, që ka nevojë për mbështetje edhe që ka nevojë për rehabilitim shoqëror. Kriminel është ai që shfrytëzon dobësinë e tij, që e furnizon, që e shtyn më thellë në varësi, por po ashtu edhe që përfiton, prandaj edhe vëmendja duhet të jetë edhe tek ky aspekt, patjetër pra pa e përjashtuar njëra tjetrën. Pra, personin që e ndihmojmë, që ka nevojë për mbështetje dhe personi që procedohet penalisht dhe ndaj të cilëve merren dënimet meritore. Sepse edhe kur jemi te sistemi i drejtësisë, pastaj duhet të flasim që a janë këto dënime të mjaftueshme dhe a po ndikojnë këto dënime që të mos kemi raste të trafikimit kaq shumë. Pra duhet të jemi të pakompromis ndaj trafikantëve dhe maksimalisht të kujdesshëm ndaj personave që kanë nevojë për ndihmën tonë”, tha ajo.

Ndërsa, togeri i Policisë së Kosovës, Faruk Bunjaku, nga Drejtoria Kundër Drogave, tha se si njësi antidrogë kanë disa aspekte të luftimit të drogave, duke filluar nga aspekti rrugor, niveli i mesëm dhe niveli ndërkombëtar.

Ai tha se sa i përket shkollave, Policia e Kosovës ka në zbatim planin operativ “Siguria në shkolla”, plan ky që sipas tij, ka pasur efet të jashtëzakonshëm, pasi u shpreh se ka policë në rroba civile që janë prezentë në dhe rreth shkollave.

“Sa i përket shkollave, ju e dini që në gjithë Republikën e Kosovës është në zbatim një plan operativ “Siguria në shkolla”, i cili nga të dhënat vetë dhe luftimi i dukurive negative, siç janë drogat… ka pasur një efekt të jashtëzakonshëm, pasi që policë në rroba civile janë prezentë në dhe përreth shkollave, duke komunikuar vazhdimisht me stafin e shkollave, dhe duke siguruar një ambient më të mirë për nxënësit aty. Në aspektin rrugor, drejtoria e drogës kohëve të fundit ka rritur stafin e vet, kështu që kemi më shumë prezencë policë, në rroba civile, përfshirë edhe stacionet policore, të cilët kanë dedikuar disa policë në luftim të drogave në nivel rrugor. Sa i përket aspektit të luftimit ndërkombëtar, gjeografikisht ne jemi një vend lehtë i cenueshëm nga trafikimi ndërkombëtar i drogave, përfshirë transportin e drogave prej Amerikës Latine, siç janë kokaina, e cila vjen pastaj përmes Shqipërisë dhe përmes shteteve evropiane, siç është Holanda, Belgjika dhe shtete të tjera. Sa i përket heroinës, është një rrugë thuajse e pandryshuar që zakonisht vjen nga Afganistani, nga Irani, përmes Turqisë, dhe shteteve të tjera, mbërrin destinacionin tonë”, tha ai, raporton KosovaPress.

Sipas Bunjakut, në Kosovë nuk ka rritje të përdoruesve të heroinës, por tha se ka abuzim me metadonin, substancë kjo që o shkakton edhe vdekje të hershme, teksa shtoi se marihuana vazhdon të jetë droga më e përhapur në Kosovë, e pasuar nga kokaina që sipas tij, në kohët e fundit ka rritje enorme të përdoruesve të saj.

Kurse, drejtori ekzekutiv i OJQ-së “Labyrinth”, Safet Blakaj, tha se shqetësuese në Kosovë është përhapja e shpejtë e përdorimit të kokainës dhe një varianti të saj që quhet “krak-kokainë”, e cila sipas tij, krijon varësi të shpejtë por edhe shkakton rritje të agresivitetit.

Blakaj tha se mosha e kokainës ka rënë dukshëm, ku në vitin e kaluar ka rënë në 25-35, e që sipas tij, ka tendencë të rënies, teksa u shpreh se kohët e fundit ka probleme edhe me personat nën moshë që po janë përdorues të kokainës.

“Në Kosovë, për neve po na shqetëson shumë përhapja e shpejtë e përdorimit të kokainës, edhe një variant i saj, krak-kokainë që quhet, e cila shkakton varëshmëri shumë të shpejtë, por shkakton edhe të tjera probleme duke u rritur agresiviteti tek personat që e përdorin. Pra, këto janë çfarë po ndodh momentalisht. A ka droga të tjera? Po, ka. Për… ato edhe po ndryshojnë me kohën, për shembull, gjatë stinëve të ndryshme, ose sezoneve. Tash… ka problem, për shembull, me ekstazinë e cila gjatë sezonit të verës është më prezente. E po na shqetëson shumë edhe drogat që janë të ngjashme me kokainën stimulante, çfarë është amfetaminë edhe metamfetaminë. Ne e analizojmë se.. e kuptojmë që kokaina nuk mundet me shku… më lart, qysh po e shohim ne, edhe jemi shumë të shqetësuar sepse e dini, është droga më e shtrenjtë që ekziston deri më tani. Përdorimi i saj është shumë i madh. Mosha e përdorimit të kokainës ka rënë dukshëm. Vetëm për një krahasim të shkurtër, para katër viteve, ka qenë mosha të cilët janë paraqitur për shërbim tek ne ka qenë 45, 55. Në vitin e kaluar, ka rënë dukshëm, në 25, 35, edhe tendencë të rënies. Për shembull, kemi tani edhe probleme me kokainë tek personat nën moshë, që është tepër shqetësuese për neve”, tha Blakaj.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button