Haxholli: MPJ-ja serbe njoftoi për arrestimin e një kosovari për krime lufte ndaj policisë serbe në Koshare

Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka njoftuar për arrestimin e një qytetari të dyshuar për krime lufte më 1999 në Koshare.
Haxholli ka thënë se qytetari i ndaluar është F.K., 56-vjeçar, dhe se të vetmit që kanë kryer krime në Kosovë, ku forcat militare e paramilitare pësuan fiasko, janë forcat serbe.
“Sipas njoftimit të tillë të ndarë me mua nga njerëz vullnetmirë, Ivica Daçiq, i ka njoftuar mediat sot për ndalimin e një qytetari me iniciale F.K i lindur më 1968, dhe kjo sipas njoftimit gjoja duke e ngarkuar për ngjarje gjatë periudhës maj të vitit 1999, në luftën e lavdishme të UÇK-së në Koshare. Të vetmit që kanë bërë krime në Kosovë, Koshare, ku forcat militare dhe paramilitare pësuan fiasko, janë forcat serbe, dhe nëse dikush duhet ndjekur për krime lufte në Kosovë dhe Koshare, ai do të duhej të jetë pjesëtarë i atyre forcave”, ka shkruar Haxholli në “Facebook”.
Tutje ai ka shtuar se Daçiq edhe pas 30 vjetësh mund të mbijetojë në politikën serbe edhe me këto mësymje, “por Kosova ka fituar përjetësisht në luftë dhe në paqe kundër Serbisë”.