​Haziri: Kemi një lloj kokëfortësie për konstituimin e Kuvendit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri tha se në vazhdimësi ka kokëfortësi politike për tu arritur qëllimet tjera politike.

Kështu u shpreh ai derisa komentoi edhe takimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

“Kemi zbardhje të takimit nga dy pjesëmarrësit, gjithçka bie në interpretim politik që nuk do të duhej në këtë situatë edhe ashtu të rënduar me i dhënë më shumë. Çështje e tyre, po shihet që kur nuk shfrytëzohet e drejta e partisë së parë për të formuar institucion, nuk shfrytëzohet e drejta as me i marrë bankat e parlamentit nga deputetët e tyre kemi një lloj kokëfortësie në vazhdimësi politike për të arritur qëllime politike tjera”, deklaroi ai.

Pas dështimit të përpjekjes së pesëdhjetë për konstituim të kuvendit, Haziri komentoi edhe deklaratën e deputetit të LVV-së, Agim Bahtiri, i cili tha se “Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të behën bashkë në ditët në vijim për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”.

“Besoj që nuk i shkon atij ky lloj vlerësimi, nuk është kurrfarë vlerësimi”, u shpreh ai.

Komisioni për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit – kërkesë kjo e Lëvizjes Vetëvendosje – nuk ka marrë sërish votat e nevojshme. Vetëm 53 deputetë kanë votuar për formimin e këtij komisioni. /kp

Back to top button