Haziri: Qeveria Kurti, “aziatike”
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, e quajti Qeverinë Kurti “aziatike”, derisa tha se populli i Kosovës është më proamerikani dhe më proevropiani.
Ai tha se anulimi i stërvitjeve ushtarake “Europe Defender 2023” për Kosovën ishte shuplakë ndaj kryeministrit Albin Kurti e presidentes Vjosa Osmani.
Haziri shkroi në “Facebook” se amerikanët e vlerësonin bashkëpunimin dhe koordinimin e liderëve të kaluar kosovarë, por sipas tij, “Kurtit sot po i japin ultimatume”.
“Pak retrospektivë. Prej vlerësimit deri në përulje për Ibrahim Rugovën që kishin amerikanët, por edhe për liderët tjerë politikë të Kosovës, për bashkëpunim e koordinim të vazhdueshëm për tema nacionale, sot amerikanët japin ultimatume për Kurtin. Anulimi i Defender-it është shuplakë për presidenten dhe kryeministrin. Por, e mira e madhe është që populli proamerikan dhe proeuropian i Kosovës është lojal, e në anën tjetër fatkeqësia është që ka qeverisje aziatike. Vazhdojmë ta përsërisim porosinë e presidentit Rugova: Kosova e hapur, demokratike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai./21Media