Helmimi i qytetarëve në Krujë, FSK-ja e gatshme ta ndihmojë Shqipërinë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka shprehur gatishmërinë për asistencë të plotë nga ana e Forcës së Sigurisë së Kosovës me rastin e helmimit të qytetarëve të Krujës.
Ai përmes një postimi në ”Facebook”, ka bërë të ditur se FSK është në gjendje gadishmërie për të ofruar ndihmë.
Sot gjatë gjithë ditës kam qëndruar në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e Republikës së Shqipërisë, dhe në veçanti me homologun tim, ministrin Peleshi, pastaj ambasadorin Minxhozi, si dhe zyrtarë të tjerë, duke shprehur gatishmërinë për asistencë të plotë nga ana e Forcës së Sigurisë së Kosovës me rastin e helmimit të qytetarëve në Krujë. Ministria e Mbrojtjes me të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së, është dhe do të jetë gjithmonë në dispozicion për të ndihmuar autoritetet e Republikës së Shqipërisë dhe qytetarët e saj”, ka shkruar Mehaj.

Ndryshe, dje rreth 30 persona janë paraqitur me shenja helmimi në spitalin e Krujës. Dyshohet se ata janë helmuar nga uji, ndërsa akoma nuk ka një komunikatë zyrtare. Siç është raportuar, shtetasit kanë marrë ndihmën e parë në spital nga mjekët dhe më pas janë lënë të lirë për të shkuar në shtëpi. Ndërkohë, autoritetet janë duke kryer analizat e nevojshme të ujit për të zbuluar nëse helmimi ka ardhur nga aty./21Media

Back to top button