Hemorroidet, cilat ushqime (s) duhet përdorur, si bëhet mjekimi, tregon Dr.Vishi
Kirurgu abdominal, Dr. Imri Vishi ka deklaruar se në rastin kur përmendet termi hemorroide, nënkuptohet fryrja, ënjten dhe pezmatimin e venave në rektum. Ai ka informuar se se hemorroidet janë të jashtme dhe të brendshme dhe se nuk janë të rrezikshme, por mund të jenë të dhimbshme dhe irrituese, të shoqëruara me ndjesinë e kruarjes së anusit, me djegie dhe gjakderdhje.
Shkaktarët
Dr. Imri Vishi ka treguar se hemorroidet shkaktohen nga: Tensionimi i tepërt gjatë defekimit në rastet e daljes së vështirësuar (konstipacion kronik), qëndrimi kohëgjatë gjatë defekimit, aktiviteti i ulët fizik dhe qëndrimi ulur kohëgjatë në punë, dehidratimi, stresi, ushqimi i dobët (mungesa e fibrave), obeziteti. Ai ka bërë të ditur se femrat i fitojnë hemorroidet gjatë shtatzanisë.

Simptomat
Dr. Vishi ka bërë të ditur se simptomat e hemorroideve janë: Gjakderdhja e freskët e kuqe, që mbështjell fecesin, gjakderdhja në toalet ose në letërfshirjen pas defekimit, dhimbjet, kruarjet.

Sipas doktorit, hemorroidet atakojnë njëjtë të dy gjinitë dhe rreth një në 20 njerëz e ka këtë patologji, e cila është më e shpeshtë në moshën mbi 50 vjeçare.
Hemorroidet dhe ushqimi
Kirurgu abdominal, Dr. Imri Vishi për rtv21.tv ka theksuar se ekzistojnë barna të shumta natyrale për mjekimin e hemorroideve, por gjithsesi është e domosdoshme ndërrimi i shprehive jetësore, në rend të parë mënyra e të ushqyerit.
Ai ka deklaruar se nuk duhet të përdoret alkooli dhe duhani, por të merren sasina të mëdha të ushqimeve që përmbajnë fibra dhe sasi e mjaftueshme e ujit, lëngje të pemëve, aktiviteti fizik i përditshëm me më së paku 1 orë në ditë e stimulon qarkullimin e gjakut, shpejton metabolizin dhe trejtjen.
“Rritja e peshës trupore, ngritja e peshave të rënda, konstipacioni kronik,të ndenjurit ulur për kohë të gjatë, të ushqyerit me ushqim djegës me kripë dhe acidik sjell deri te problemi me hemorroide. Ekspertët në rend të parë ju preferojnë personave me hemoriode të dhimbshme banjo me ujë të nxehte për 15 min disa herë në ditë. Një bar efikas në kushte të shtëpisë është edhe akulli në formë të kompresave të ftohta të vendosura në anus për 15-20min e lehtësojnë kruarjen dhe dhimbjen dhe zvogëlojnë hemoroidet.”, ka bërë të ditur doktori, i cili ka informuar se higjiena e dobët e regjionit anal i kontribon irritimit, kruarjes dhe komplikacioneve potenciale.
Dr. Vishi gjatë intervistës për rtv21.tv ka treguar se cilat ushqimet duhet të përdoren për mjekimin e hemorroideve dhe cilat nuk duhet të përdoren.

“Ushqimet të cilat përdoren për uljen e vuajtjeve dhe mjekimin e hemoriodeve janë: patatet,arrat,spinaq,rrush i thatë,kumbulla të thata, drithërt, brokoli, portokajt, avokado, pasuli, molla, bizelja etj. Për zbutjen e pamundësisë së defekimit preferohet që së paku të pini një gotë ujë gjatë ngrënies dhe ndërmjet racioneve ditore. Ushqimet të cilat nuk duhet të përdoren janë: pijet akloolike, ushqimi me melmesa, pijet e gazuara, kafja, buka e bardhë, pasta të ndryshme, pitet dhe ëmbëlsirat.”, ka deklaruar ai.
Mjekimi – medikamentoz – kirurgjik
Kirurgu abdominal, Dr. Imri Vishi ka bërë të ditur se mjekimi kirurgjik i sëmundjes hemorroidale nënkupton preparimin dhe largimin e nyjeve hemorroidale me metoda klasike kirurgjike dhe metoda bashkohore.
“Anestezioni që përdoret te këta pacienta mund të jetë lokal dhe i përgjitshëm.”, ka shtuar ai./21Media