Hendbolli dardan synon Botërorin 2027

Kombëtarja e Kosovës në hendboll po vazhdon të shkruajë histori. Pas kalimit me sukses të fazës së parë kualifikuese, “Dardanët” kanë siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën e dytë drejt Botërorit 2027, ku do të përballen me Bosnjë e Hercegovinën.
Në këtë federatë e kanë cilësuar një hap të madh përpara, por theksojnë se rruga drejt ëndrrës së madhe sapo ka filluar.
Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edi Kolgeci, shprehet krenar për suksesin historik të përfaqësueses sonë, duke vlerësuar se kualifikimi në fazën e dytë është dëshmi e progresit të vazhdueshëm që po arrin ekipi.
“Nuk ka qenë një ekip që është dashur të nënçmohet kështu që po, kemi qenë favorit, i kemi fituar dy lojë dhe jemi për herë të parë në këtë fazë kualifikuese për në botëror. Është një kualifikim apo një hap i madh drejt Kampionatit Botëror, por nuk bën të vetëkënaqemi dhe të shohim përpara, të arrijmë ta kalojmë edhe fazën e dytë dhe të kemi fat në short në fazën e tretë”, thotë Kolgeci.
Për ndeshjet kundër Bosnjë e Hercegovinës, Kolgeci u shpreh optimist, duke theksuar se Kosova nuk do të kënaqet me asgjë më pak se fitorja.
“Të them, se kemi pasur fat që kemi Bosnjë e Hercegovinën nuk mund ta them, ka qenë opsion edhe Greqia, por prej të gjitha këtyre shteteve që kemi mundur t’i tërheqim në short, prapë mendoj që Bosnja është një shtet apo një reprezentacion pak më i dobët se sa tjerët…Ne gjithmonë jemi optimistë edhe besoj që shanset i kemi, por duhet shumë punë. Kemi kohë deri më 19 mars, kur luhet ndeshja e parë në Bosnjë dhe mandej është edhe përparësi që atje do ta shohim ku jemi. Normal që gjithmonë shkojmë për fitore”, theksoi Kolgeci
Hendbollisti i kombëtares, Drenit Tahirukaj, ka theksuar se Kosova nuk frikësohet nga kundërshtari, duke kujtuar se megjithëse në vitin 2023 ndeshjet kundër Bosnjës u humbën, ekipi sot është më i pjekur dhe më i fortë.
“Po, jemi përballur edhe njëherë në vitin 2023, ku fatkeqësisht të dy ndeshjet i kemi humbur, por kjo nuk do të thotë që janë më të mirë se ne. E jona është që të përgatitemi, kemi rreth katër muaj e gjysmë kohë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë, siç e themi ne, topi është i rrumbullakët”, deklaroi Tahirukaj.
Ndeshja e parë zhvillohet më 18 apo 19 mars 2026 në Bosnjë e Hercegovinë. Ndeshja e kthimit është në Kosovë, më 21 apo 22 mars 2026./kp