“Heqja e masave do të kushtëzohet me dërgimin e draft-statutit për asociacion në Kushtetuese”

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe gjithë rrugëtimi i saj drejt bashkimit Evropian ndërlidhet me një parakusht të vetëm formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërkohë, sipas tyre masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës janë problem shtesë për Kosovën në këtë rrugëtim dhe heqja e tyre gjithashtu do të kushtëzohet me dërgimin e draft-statutit të asociacionit në Gjykatën Kushtetuese
Ish-drejtori i përgjithshëm në ministrinë e punëve të jashtme, ambasador Albert Prenkaj, duke komentuar zërat se anëtarësimi i Kosovës është i lidhur me heqjen e masave ndëshkuese nga BE-ja, i tha RTV21, se Kosova ka humbur shansin të anëtarësohet në Këshillin e Evropës për shkak të lojërave politike të qeverisë Kurti. Ai më shumë e lidh asociacionin si kusht për heqjen e masave ndëshkuese dhe rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
“Raportimet e fundit janë se Evropa është e gatshme të heq masat gradualisht mirëpo heqja e këtyre masave është e kushtëzuar siç ishte kushtëzimi për anëtërësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku në momentin e fundit doli kushti kujdestar nga këshilli i ministrave dërgimi i draft statutit për asociacionin në Gjykatën Kushtetuse dhe Kosova humbi shansin për shkak të lojërave politike të ministrës Gërvalla-Shwarz”, tha Prenkaj për rtv21.
Në kontekst të këtyre zhvillime, do përmendur mbështetjen që mori Kosova në prill të këtij viti nga deputetë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësim në këtë organizatë, më vonë kërkesa e Kosovës nuk u përfshi në agjendën e Këshillit të Ministrave. Arsyeja ishte mos dërgimi i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese, një kusht që Kosova nuk ka përmbushur. Ish-diplomati, Blerim Canaj i vlerëson masat ndëshkuese si barrë shtesë për vendin në këtë drejtim.
“Masat ndëshkuese janë barrë shtesë ndaj Kosovës në këtë aspekt dhe nuk janë të lidhura decidivisht me anëtarësimin në Këshill të Evropës sepse e dijmë që kusht është formimi i asociacionit”, tha Canaj.
Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023 për mos-shtensionim të situatës në veri, ndërkohë gati dy vjet pas u tha se BE-ja është shprehur e gatshme të heqë masat në mënyrë graduale. Ndërkaq, më 18 dhjetor në Bruksel pritet të mbahet samiti i radhës me fokus forcimin e partneritetit mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit.
Politologu Albinot Maloku, vlerëson se BE-ja nuk ka një vizion të qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“BE-ja nuk e mbajti ballancën e duhur dhe tash gjithçka varet nga takimi i BE-së ndërmjet liderëve dhe tentimi është që të gjindet një modalitet siç ka bërë zakonisht Evropa që masat të hiqen gradualoisht. Dhe duhet ta themi që Evropa ka dështuar të sjellë një strategji adekuate që të përafroj vendet e Ballakanit me Evropën”, tha Maloku.
Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se Kosova humbi shansin e artë që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në maj 2024. Dhe në përgjithësi në sferën ndërkombëtare qeveria Kurti në katër vite pushtet ka notë të dobët./RTV21/21Media