Heqja e tarifës ndaj ShBA-së, polemikat e panevojshme presidencë-qeveri

Polemikat në distancë ndërmjet Zyrës së Presidentit dhe ministrave të kabinetit qeveritar, rreth tarifës prej 10 për qind të mallrave nga ShBA-ja, po konsiderohen si dëshmi e përçarjes ndërmjet krerëve të institucioneve dhe mungesës së harmonizimit për politikën e jashtme.
Sipas analistëve politikë, komunikimi për heqjen e këtyre masave ndaj ShBA-së, do të duhej të ishte i brendshëm dhe jo të ketë përplasje publike.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shpallur tarifa ndaj pothuajse dyqind vendeve botërore, në mesin e tyre edhe Kosovës dhe Shqipërisë. Këto dy të fundit, do të kenë tarifa prej 10 për qind.
Presidentja Vjosa Osmani i kërkoi qeverisë të enjten, ta pezullojë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga SHBA-ja, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi tarifë të ngjashme ndaj importeve nga Kosova.
Mirëpo, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, kritikoi presidenten, Vjosa Osmani, e cila sipas tij, diskutimet për këto çështje do të duhej t’i mbante të mbyllura deri në momentin kur të merret vendimi.
Ai tha se kabineti qeveritar ka qenë duke e shqyrtuar prej kohësh çështjen e tarifës ndaj mallrave me origjinë nga Shtetet e Bashkuara.
Mirëpo, atij i reagoi Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani, i cili këtë deklaratë të ministrit Murati e konsideroi “të turpshme dhe skandaloze”.
Këto polemika publike, ish-diplomatja kosovare, Alma Lama i konsideron të panevojshme dhe dëshmi se Kosova s’ka një politikë të jashtme të harmonizuar ndërmjet krerëve të institucioneve.
Megjithëse, Lama thotë se largimi i tarifës prej 10 për qind për mallrat ndaj ShBA-së, është propozim i mirë nga ana e presidentes, mirëpo këto diskutime do të duheshin të bëheshin në dyer të mbyllura.
“Kjo është dëshmi e qartë se Kosova s’ka një politikë të jashtme të harmonizuar ndërmjet institucioneve…Propozimi i presidentes për heqjen e tarifës prej 10 për qind është propozim i mirë dhe besoj se duhet të veprohet menjëherë nga ana e qeverisë së Kosovës… Është e panevojshme dhe mendoj që s’kanë koordinim dhe mendoj që është papjekuri institucionale. Këto lloj bisedash edhe kru kanë mosdakorësi zhvillohen brenda dyerve të mbyllura dhe jo për publikun. Është dëshmi e pajkurisë institucionale”, thekson ajo.
Në anën tjetër, analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, rrjedhimisht edhe qeveria s’po e përfillin më presidenten Vjosa Osmani, pasi po e konsiderojnë si një jo lojtare në koalicionet e ardhshme politike.
“Po të kishte një raport të mirë mes presidencës dhe kryeministrisë do të duhej të ishte raport i brendshëm i komunikimit. Për faktin që zonja Osmani tashmë duket se është divorcuar nga kurora me kryeministrin Kurti, pasi tani Guxo nuk është pjesë e kontrolluar nga Osmani. Ajo po tenton që duke parë që i ka ra pesha politike të jetë aktuale përmes mediave dhe temave ku mund të atakojë Kurtin dhe qeverinë e tij. Por të njëjtën kohë të jetë si një lloj akteri i ardhshëm politik me opozitën. LVV-ja nuk e përfill më zonjën Osmanin, pasi ata e konsiderojnë si më jo lojtare në koalicionet e ardhshme politike”, thekson ai.
Të mërkurën në mbrëmje, Trump vendosi tarifë bazë për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë, heqjen e të gjitha masave ndaj SHBA-së, e ka kërkuar sot edhe Ramush Haradnaj. Njëjtë kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e bizneseve./kp