Hill: Nuk e di nëse Thaçi ishte ndër themeluesit e UÇK-së

(Lajm i përditësuar)
Hill: Nuk e di nëse Thaçi ishte ndër themeluesit e UÇK-së
Hill dëshmon se nuk është i sigurt nëse Hashim Thaçi ka qenë një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Nuk e di nëse Hashim Thaci ka qenë njëri nga themeluesit e UÇK-së dhe fakti që unë nuk e kam hasur emrin e tij deri më vonë gjatë vitit, me sugjeron që ai nuk ka qenë”, tha Hill.
Ai shtoi: “Nuk jam në gjendje ta konfirmoj një gjë të tillë”.
Hill: Rexhep Selimi nuk ishte në pozitë të lartë në UÇK
Hill tha se nuk e mban mend të ketë thënë ndonjëherë se Rexhep Selimi mbante pozitë të lartë në UÇK, “por kishte qëndrime të vlefshme”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, Hill tha se gjatë takimit në Likoc më 1998 “ne e kuptuam se Selimi do të ishte në pozitë për të na dhënë përgjigje, por në fakt ishte nga grupi i Drenicës”.
Hill shtoi se pasi “nuk morëm përgjigje, ne menduam se ai thjesht po përfaqësonte ca opinione të grupit të Drenicës”.
Hill: Po kërkonim të gjenim njerëz të UÇK-së në Drenicë
Përgjatë dëshmisë së tij, Hill po diskuton me prokurorin për një udhëtim që e ka realizuar me disa zyrtarë amerikanë dhe shqiptarë me makinë, në kërkim të njerëzve të UÇK-së në Drenicë, për të diskutuar situatën e atëhershme.
Duke folur prej perspektivës sot, Hill ka thënë se ka qenë ide e keqe që të realizohej ai udhëtim, meqë përgjatë rrugës ka pasur shumë të shtëna, që mund t’ua rrezikonin jetën.
Hill ka kujtuar që i është thënë se të shtënat janë kryer nga forcat serbe, për t’ua pamundësuar një takim me njerëzit e UÇK-së.
“Kjo përpjekje për të shkuar në vende si në Kijevë dhe Shtime, dhe vende tjera, ishin përpjekje për të gjetur njerëz të UÇK-së, sepse në atë periudhë kohore nuk e dinim kush fliste në emër të UÇK-së. Ky ishte frustrim i vazhdueshëm për neve kur dëgjonim njerëzit që thoshin se kush ishte përgjegjësi i gjërave dhe më pas thoshin ‘jo nuk është ky, është dikush tjetër’. Pra, ishte një situatë në të cilën ne nuk mund të mbështeteshim te të tjerët, duhej të shkonim dhe ta shihnim vetë”.
Hill: Demaçi ishte kundër çdo gjëje që s’kishte pavarësi, kur kishte problematika supozonim që ishte ai
Ish-diplomati amerikan Christopher Hill në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, tha të martën në Hagë se Adem Demaçi ishte kundër çdo gjëje që nuk e kishte pavarësinë e Kosovës.
Veç kësaj, Hill tha se kur ekzistonin problematika serioze gjatë Marrëveshjes së Rambujesë, supozonin se pas tyre ishte Demaçi.
“Ne e dinim që Adem Demaçi ishte kundër çdo negociate me serbët dhe ishte kundër çdo gjëje që nuk trajtonte çështjen e pavarësisë. Pra, kur ekzistonin problematika serioze të rënda, ne supozonim që është Demaçi pas këtyre”, tha ai.
Hill theksoi se në këtë pikë, mendonin se nuk ishte ndonjë person që ta nënshkruante marrëveshjen.
Dëshmitari e tha këtë pasi iu prezantua një dokument në të cilin thuhej se ka pasur një konflikt të madh për Rambujenë brenda UÇK-së.
Po ashtu, në të njëjtin dokument thuhej se antagonisti kryesor politik i UÇK-së ishte Adem Demaçi./BetimipërDrejtësi
Hill: Përshtypja ime ishte që Kransiqi s’ishte i rëndësishëm në UÇK
Dëshmitari Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë pohoi se hera e parë që e kishte takuar Jakup Krasniqin ishte në Dragobil, e që takimi ishte organizuar nga përfaqësuesit e KDOM-it.
Ndërsa, për lirimin e disa ushtarëve jugosllavë, dëshmitari tha se nuk e dinte se kush e beri për shkak se ishte problematikë të dihej se kush ishte përgjegjës në UÇK.
“Kjo ka qenë një problematikë e vazhdueshme me UÇK-në sepse ne nuk e dinim se kush ishte përgjegjës atje”, tha Hill.
Sipas dëshmitarit, ai mendonte se Krasniqi nuk ishte ndonjëri prej figurave kryesore dhe për lirimin e tyre kishte marrë udhëzime.
“Po. Këto janë mendime të pabazuara. Por, në mungesë të informacioneve të tjera, atëherë po”, tha Hill.
Avokati Aiden Ellis më pas e pyeti dëshmitarin se a ishte përshtypja e tij se Krasniqi nuk ishte ndonjë person i rëndësishëm në UÇK.
“Po, kjo ishte përshtypja ime”, tha Hill./BetimipërDrejtësi
Hill: Mospajtimet mes shqiptarëve nuk ishin shqetësimi im
Edhe në ditën e dytë të dëshmisë së tij, Hill po tregon se si ka pasur vonesa të vazhdueshme nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u përgjigjur në çështje të ndryshme, sepse nuk ka ekzistuar një person përgjegjës brenda grupit.
Ai e ka pohuar deklaratën që e ka dhënë vite më parë në një intervistë se besonte se edhe lideri i asaj kohe, Ibrahim Rugova nuk ishte i gatshëm që ta kryente detyrën.
“Mospajtimet mes shqiptarëve nuk ishin shqetësimi im. Shqetësimi im ishte të zbatoja politikën amerikane dhe të gjeja një mënyrë që Beogradi, dhe grupe të ndryshme në Kosovë, të gjenin një mirëkuptim dhe të përfundonte konflikti”.
Hill: Nuk besoj dhe as s’kam dëgjuar që Thaçi të ketë urdhëruar aktivitete të paligjshme
Edhe sot avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq është duke e marrë në pyetje diplomatin Hill. I pyetur se pse ka vendosur të marrë pjesë në këtë proces gjyqësor, Hill ka thënë se nuk ka arsye për të besuar se Thaçi është përfshirë në aktivitete për të cilat akuzohet.
“Nuk kam arsye të besoj, dhe as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar aktivitete të paligjshme, dhe siç e kuptoj unë, ai është mbajtur i burgosur për një kohë të caktuar lidhur me këto çështje. Pra ndjeva, kur mu kërkua kjo gjë, pasi njerëzit më kontaktuan mua, që duhet të thosha atë që dija në lidhje me situatën”.
Hill vazhdon dëshminë në Hagë
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë kohës së luftës në Kosovë, Christopher Hill sot do të vazhdojë paraqitjen në Gjykatën Speciale në Hagë, duke dëshmuar në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Hill do ta vazhdojë dëshminë sot në orën 9:00.
“Zoti Hill, për sot përfunduam, do të duhet të rifillojmë sot në orën 09:00. Do të përpiqemi që të fillojmë pikërisht në orarin e caktuar”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.
“Mos flisni me askënd jashtë sallës së gjyqit – e di që ju e dini këtë gjë, por unë duhet ta them sidoqoftë”, tha ai.