Hill: Serbia ka të drejt t’i drejtohet KFOR-it, por kërkohet zgjidhje politike

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, tha se Qeveria e Serbisë ka të drejtë t’i drejtohet KFOR-it, por se për këtë është e nevojshme një zgjidhje politike.
“Kjo është një çështje që mbetet politike dhe prandaj kërkon një zgjidhje politike”. “Unë nuk shoh mundësinë e një zgjidhje ushtarake”, tha Hill për mediumin serb N1.
Një seancë e Qeverisë së Serbisë pritet të zhvillohet të enjten në mbrëmje me pjesëmarrjen edhe të presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili paraprakisht kishte njoftuar se pas saj Serbia do t’i paraqesë kërkesë KFOR-it për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, ndërkohë, kanë përjashtuar çdo mundësi të kthimit të forcave serbe në territorin e Kosovës.
Ambasadori Hill tha se është me rëndësi që “të qetësohet situata dhe të kthehet paqja dhe stabilitet në atë zonë”.
Hill ripërsëriti qëndrimin e të dërguarit amerikan Escobar se “që njerëzit që jetojnë atje mund të kenë pritshmëri të qarta se si do të jetë jeta e tyre në të ardhmen dhe kjo mund të arrihet përmes themelimit të Bashkësisë së Komunave Serbe”.
Hill kujtoi se Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar të mërkurën “e bëri të qartë se kjo është diçka që do të ndodhë”./21Media

Back to top button