Historia e Fahrijes, suksesi i tërë Kosovës, “Zgjoi” i pazëvendësueshëm
Filmi me skenar e regji të Blerta Bashollit, “Zgjoi” ka shënuar sukses pas suksesi, duke u bërë kështu një nga filmat më të vlerësuar shqiptar.
Në rolin kryesor luan aktorja Yllka Gashi, e që “Zgjoi” konsiderohet si filmi më i sukseshëm i kinematografisë shqiptare deri sot, fitues i trefishtë në Sundance 2021 dhe fitues i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare, gjithashtu propozim i Kosovës për “Oscars 2022”.
“Zgjoi” sjell historinë e vërtetë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
“Zgjoi” ka për producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n. Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj. “Zgjoi” është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Filmi i Bashollit, është fitues dhe i nominuar për çmime në ‘Berkshire International Film Festival’, ‘Cinedays Skopje Film Festival’, Crested Butte Film Festival’, ‘Filmsi Festival Herceg Novi – Montenegro Film Festival’, ‘Guanajuato International Film Festival’, ‘Hamburg Film Festiva’, ‘Jameson CineFest – Miskolc International Film Festival’, ‘Jerusalem Film Festival’, ‘Montpellier Mediterranean Film Festival’, ‘Nantucket Film Festival’, ‘Oda Tetova International Film Festival’, ‘Palm Springs International Film Festival’, ‘PriFest – Prishtina International Film Festival’, ‘Scottsdale International Film Festival’, ‘Stockholm Film Festival’, ‘Sundance Film Festival’, ‘Sao Paulo International Film Festival’, ‘Tiranda International Film Festival’, ‘Unabhangiges FilmFest Osnabruck’, ‘Valladolid International Film Festival’, ‘Warsaw International Film Festival’.
Afro dy muaj më pare, më 28 tetor, në Prishtinë u dha premiera e këtij filmi të vlerësuar lartë, ku pjesëmarrës kanë qenë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e Kryeministri I Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
“Ju faleminderit që përmes kinematografisë së Kosovës po tregoni dhimbjet, sfidat, kulturat dhe mendësinë tonë. Ju tashmë jeni ambasadorët tanë dhe nëpërmes jush Kosova po hap kapituj të ri të suksesit. Zgjoi, jemi me ju dhe ju priftë e mbara”, kishte thënë Osmani, në premierë.
“Çdo çmim është një konfirmim i punës së mirë që ka bërë i gjithë ekipi. Eksperienca dhe mikpritja në Festivalin e Filmit në Varshavë ishte e mrekullueshme dhe jemi të lumtur për vlerësimin që na është bërë. Rrëfimi për gratë krushiane duhet të shihet nga të gjithë. Ne kemi akoma rrugë për të bërë dhe festivale te tjera qe na presin”, ishte shprehur Basholli, pas triumfit në Varshavë.
Më 15 tetor të vitit 2021, Ambasada e Kosovës në Itali kishte bërë të ditur se së bashku me Festivalin e Filmit në Romë më 18 tetor do të jetë nikoqir edhe filmi ”Zgjoi” me regji nga Blerta Basholli.
“Zgjoi” ka arritur marrëveshje me kompani të ndryshme distribuimi. Përmes distributorit LevelK “Zgjoi” ka bërë marrëveshje distribuimi me Kino Lorber & Zeitgeist Film për Amerikën Veriore; Altitude për Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë; dhe Icon për Australi dhe Zelandë të Re.
Filmi poashtu ka bërë marrëveshje për Kinë me Hugoeast Holding, për Skandinavi me Edge Entertainment, Portugali me Films4you, Republikën Çeke me HBO Central Europe, Bosnje & Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Serbi, dhe Slloveni me Kino Meditaran, Turqi me Filmarti, dhe Greqi me Cinobo. “Zgjoi” është në drejtim të finalizimit të marrëveshjeve edhe me shumë shtete tjera.
Lista e sukseseve të kineastëve kosovarë në festival ndërkombëtare është e gjatë. Vetëm deri në 2015 filmat kosovarë kishin arritur të fitonin afër 200 çmime ndërkombëtare. Por, “Zgjoi” do mbetët si filmi i shumë çmimeve, i cili bëri që emri i Kosovës të dëgjohet edhe në Festivalet më prestigjoze të filmit në botë./21Media