Historia e vërtetë e ish-agjentit të FBI-së prezantohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Hake gjatë viteve të 80-ta kishte shërbyer si agjent i fshehtë në një hetim të gjerë të FBI-së

Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit” në Kosovë, sot gjyqtarë të Gjykatës Themelore në Prishtinë dëgjuan një ligjëratë nga eksperti amerikan, Terrence Hake.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi theksoi edhe progresin që kanë arritur në trajtimin e rasteve të korrupsionit.

Gjatë ligjëratës, Hake elaboroi përvojën e tij gjatë katër viteve kur ka vepruar si agjent i fshehtë nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në hetimin e njohur si “Operacioni Greylord”.

Ish-prokurori Terrence Hake gjatë viteve të 80-ta kishte shërbyer si agjent i fshehtë në një hetim të gjerë të FBI-së, duke u paraqitur fillimisht si prokuror i korruptuar, i cili kishte marrë ryshfet nga avokatë mbrojtës, pastaj edhe si avokat mbrojtës që ju kishte dhënë ryshfet gjyqtarëve dhe personelit gjyqësor për lirimin e të akuzuarve.

Hetimi kishte rezultuar në akuza për marrje e dhënie ryshfeti ndaj gjyqtarëve, avokatëve mbrojtës dhe personelit të gjykatës, duke mbetur ende një nga hetimet e fshehta më të suksesshme të FBI-së.

Pas prezantimit të historisë dhe një videoje rreth “Operacionit Greylord”, Hake u përgjigj në pyetjet e gjyqtarëve dhe ndau pjesë interesante prej kohës kur shërbeu si agjent i fshehtë.

Gjithashtu, ai dhuroi librin e tij me dedikim për kryetaren e Gjykatën Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçin.

Libri i titulluar “Operacioni Greylord” trajton historinë e vërtetë të agjentit të fshehtë dhe hetimin më të madh të korrupsionit në Amerikë.

Ndryshe, ligjërata e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mundësuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Back to top button